Çaste poetike me poeten; Vitori Omeri Muci

Për ty

———————–

U bë kohë që jam vetëm,

Në këtë qytet pa fund,

Mallin e kam mbajtur gjallë,

Por ti s’dukesh asgjëkund.

Kacafytem shpesh me mallin,

Ka dhe ditë kur ai hesht,

Dorëzohet ndonjëherë,

Ka dhe net kur lufta s’resht.

Dhe papritur ditën tjetër,

Vjen e shfaqet përsëri,

Dhe pse formë ka ndërruar,

Është i njëjti mall për ty,

Dita ikën vjen një tjetër,

U bë prush, çfarë ishte zjarr,

Përvëlon dhe hiri i tij,

Dashuri si për të marrë.

Erdhi vjeshta, por e vetme,

Dallëndyshe rrotull s’ka,

Malli ngjyrë ka ndërruar,

Dhe vendin hijeve jua la.

Dalëngadalë po mësohem,

Prushi po kthehet në hi,

Sikur malli po më tretet,

Mund të bëj edhe pa ty.

Por e njoh mirë këtë ndjenjë,

Dhe pse lehtas nis e zbehet,

Veç me dritën e mëngjesit,

Sërish mundet të ushqehet.

/www.QendraPress.com/