Mozaik dimri

————————-

Dielli sapo ka mbuluar kryet e

bustit të themeluesit të shtetit,

klith gëzueshëm çilimiu ulur pak më tej,

i ati me telefonin në dorën e djathtë zgërdhihet,

dorën e majtë afron tek flaka e dërrasave të shqyera,

Dy flamuj në godinën përballë valëviten,

afrohen e largohen sikur duan ti lenë

lamtumirën njëri tjetrit.

asnjë zhurmë valësh,

veç fëshfërima e gjetheve si fshesaret e mesnatës.

Kokrrat e shegës në vazon përpara lokalit,

me emër italin, më kujtojnë

zbukurimet e pemës së Krishtlindjeve.

Rreth stolave dalëboje

hedhur shuk letrat e vajosura të byrekëve,

“I love you” gdhendur me gozhdë mbi mbështetëse,

e ndiej gërrvishjen,

rrëngjethem,

ngre lart jakën e xhupit…

Degët zverdhin ende,

mozaiku i shkallëve si britma e Munch

klith për pllakat e munguara.

Mëngjes dimri,

e ftohtë kafe “ama” e sapobërë,

hija e bustit tashmë prehet kryq me atë të pemëve.

/QendraPress/