Çaste poetike me poeten:-Vjollca ALIAJ

Shpërfytyrim
———————————-
Gra,
hijeshi të zbërthyera,
të shtrira në kanavacë,
të riformësuara nga syri, dora
e gjeniut tek dashuronte
në mënyrë të çuditshme,
shkatërruese,
të pavdekshme.
Gruaja e jetës së tij
botë më vete,
pjesë universi
përthithur
mes ngjyrave,
formave të thyera,
dritës shpërthyese
mes kaosit.
Marie Tereza
ëndrra, rinia, sensualiteti.
Thellësia syve,
paqja e pagjetur
brenda vetes.
Dora Mar
errësira, inteligjenca, protesta…
Dhimbja e saj
ulërime për botën.
Fransuaza Zhilo
e vetmja larguar vetë,
ishte arsyeja.
Grua me padurimin për të qenë
më shumë muze
se njeri.
Ai nuk iu dha
mënyrës si gratë duan të duhen,
i fiksoi në përjetësi
me pasionin e tejkalimit të kohës.
Në kanavacë
u bënë më të mëdha se vetja,
të shpërbëra,
të rindërtuara,
të gjymtuara ndoshta,
shpërfytyruar,
të paharruara.
Çdo grua
histori,
udhë e re
në labirintin e shpirtit të tij.
Pikaso
s’i kuptoi dot gratë.
Ndoshta nuk e dëshironte këtë kuptim.
Ai i pikturoi,
për të mos i humbur,
për t’i sunduar,
sepse vetëm në pikturë
mund t’i duronte.