Çaste poetike me poeten;- Vjollca ALIAJ

Bisedë nanuritëse

—————————

Ulem në breg,

mendimet më ndjekin

si hijet mbrëmjeve,

me duar ledhatoj ujrat,

shpirtin më trazon loja e valëve.

Deti sheh mjaft zemra fundosur në heshtje,

klithje,

drita e shpëtimit

mekur…

Hëna varet mbi të

sy dëshmitare e dashurive

tek lindin,

digjen,

zhduken nën sipërfaqe.

Kripa më qëndis buzët.

Nga stërkalat

apo lotët?

Ngjajnë njësoj…

Nuk kërkoj më zërin tënd,

hapat,

premtimin e vjetër

zbehur si guaskat në breg,

kërkoj veten,

në vendin tonë më të dashur.

Mes valëve, ritmi i dashurisë,

si anija tek largohet nga porti,

asnjë flamur,

veç mendimet e mia mbi bord.

Sa besoja se ishte kthim,

sot e di

ç’do të thotë

të jesh aty,

kur tjetri s’mund të jetë më,

të kesh dashur marrëzisht

me ajër,

me frymë.

Deti

në këtë bisedë nanuritëse,

më mëson

se ca gjëra ikin

vetëm për t’u bërë pjesë e përjetshme

e shpirtit.

/QendraPress/