Çaste poetike me poeten;-Xhuli SPAHIU

Shoqet e fëmijërisë

———————————-

Në rrugicat ku qeshnim pa frikë,

ku ëndrrat ishin të pastra si drita,

Ne ishim zëri i njëra-tjetrës,

shoqet që rritëm së bashku.

Duart tona mbanin sekretet e botës,

lotët fshiheshin pas një përqafimi,

çdo rrëzim bëhej më i lehtë,

kur ngriheshim së bashku, pa u ndalur.

Koha na shpërndau në horizonte të ndryshme,

por fëmijëria na mbajti të lidhura fort,

si fije drite që s’këputen kurrë,

si kujtime që rrahin ende në gjoks.

Ishim forcë për njëra-tjetrën

Ishim besimi, për ëndrrat pa kufi,

E nga njëra-tjetra mësuam

të jemi të forta,

të besojmë në vete dhe në jetë.

Edhe sot, kur bota kërkon guxim,

emrat tunë janë lutje në shpirt,

shoqe të fëmijërisë – pasuria më e bukur,

rrënjë dashurie që s’i shkul asnjë stuhi.

 Xhuli Spahiu

/QendraPress/