Çaste poetike me poeten;-Zanë MALI

Andrra që s’u tremb nga topi

—————————————

Në majë t’shputës s’vogël,

 n’atë tokë t’pjekun nga gjëma

ku dhe bari frikën e pinte me vesë,

unë lule e imët me gërsheta shprese

isha veç pesë stinë dhe një plagë ma shumë

Rrinte qielli i varun në telat e zisë

dielli fshihej si fajtor nën oxhakë t’shkrum,

une s’e lashë andrrën me fjetë

e lidha me fjongot e fundit t’kukullës që s’qante më

M’u rrit gjaku me britmën e nënës

me fjalët që s’ishin veç fjalë, por trumbeta

mos ki frikë, bijë, se toka po na dëgjon

E unë i fola tokës si nji nane të dytë

Mbaje shpresën teme, mos e lësho

Kur vinin tenkat e shurdhëta si gjarpërinj hekuri

futej frika n’çorapët e mi t’carë

por unë qeshja me dhambët e qumështit

se e dija kush andrron s’zhduket

Kam ecë zbathur mbi trungje që digjnin

kam pa kukulla pa kokë n’rrugë t’pluhurosura

por e kam dashtë jetën si buka, si uji

si gjiri i nanës që nuk më la t’harroj emrin tim

Tash jam rritë, e fëminia m’rri si unazë n’gisht

më përkujton

se isha e vogël, por s’isha e pafuqishme,

andrra ime ishte flamur i paluem

malli im gjuhë që s’u shu me pushkë

Unë jam ajo vajzë

që luftën s’e deshi, por s’iu përkul

që lirinë e pa në sy pa lot

dhe i tha vetes

bëhu ti Kosova që pret të rilindë

/QendraPress/