Çaste poetike me poeten:Ana BALLIU

Mos u fut në kopshtin e luleve nëse
———————————————–
nuk ua ndjen aromën,
Se bukuria e tyre s’është vetëm në ngjyra
Ajo fle në erën që fryn mes petalesh,
Në frymën e qetë që shpirti ndjen, pa i parë kurrë.
Mos prek me dorë lulen që s’e kupton,
Ajo rritet me kujdesin e një shpirti të butë,
Në heshtjen e saj fsheh një botë të tërë,
Një jetë që lëkundet mes dritës dhe errësirës së ftohtë.
Nëse s’mund të ndjesh aromën e tyre të lehtë,
Mos hyr në atë kopsht, se shpirti yt s’është gati,
Se lulet flasin me ata që dinë të dëgjojnë,
Me ata që u japin kuptim, pa u kërkuar asgjë tjetër.
Kopshti i luleve është për ata që ndiejnë,
Për ata që shohin përtej ngjyrës, përtej formës,
Mos u fut në të, nëse nuk e ndjen thellësinë,
Se çdo lule mban një ëndërr, një histori të mbuluar me aromë.
Mos shkel mbi tokën ku rrënjët kanë zënë vend,
Nëse s’ua dëgjon këngën e fshehtë, heshtjen që mbartin,
Ato lulëzojnë për ata që dinë të ndiejnë përtej syve,
Për ata që e nuhasin jetën në çdo aromë të saj.
Nëse s’mund t’u japësh vëmendjen që kërkojnë,
Nëse s’ndal të dëgjosh çfarë zemrat e tyre flasin,
Më mirë qëndro larg, mos ua prek hijen,
Sepse vetëm ai që ndjen, mund të gjejë vërtetësinë e tyre të brishtë.
/www.QendraPress.com/