Çaste poetike me poeten;Dava NIKOLLI
POEZIA IME…
————————–
Poezia ime ka dal në çdo shesh,
ka sy që i stërgjatën deri në qiell.
Si kapele, mban shtëllunga resh,
ka fusha, male, që i puth i lumi diell.
Ka livadhe me aroma lulesh, plot
cicërima fëmijësh, plot melodi.
Cicërima, që lulëzojnë në çdo mot,
që marrin e japin vetëm dashuri.
Poezia ime, ah poezia ime!
Ka net ku lindin të ëmblat puthje.
Vargje lirikash, me plot kujtime,
sytë e hënës që mbyllen në lutje.
Ka vargje që ngrenë lart lapidare,
përqafojnë fort fëmijë të uritur.
Gra të dhunuara, tretur, pa varre,
rrëmbyer ditën, ku lanë zjarre fikur.
Poezia ime vuan aqsa vuaj unë.
Sa unë, lodhet ajo për të vërtetën.
Kurrë s’e bën të qetë at’ gjumë,
poezia ime, aq sa unë e do jetën!
/www.QendraPress.com/