Çaste poetike me poeten;Iliriana SULKUQI.

ËNDRRA TË THINJURA…

ËNDRRA TË NGRIRA…

———————————

(Zgjas një krah, diku larg.. Ç’m’u tremb ëndrra e pafajtë…)

{DASHURI,

të kërkoj vetëm një nder:

Më pëshpërit mbi varr

vetëm një fjalë,

që s’ma the në sy asnjëherë}

1.

Dashuri,

nga ty mësova si qahet në heshtje.

Mësova t’i lutem Hënës e t’i rrëfej sekretet…

Mësova si t’i mbaj sytë qiellit të natës

ku joshem nga yjet…

Dashuri,

nga ty ç’nuk mësova

përgjatë viteve në ikje…-

shijen e lotit mbi buzën që dridhej…

kokërrzat e kripës cepave të syrit,

mësova që edhe qerpiku i lagësht prej lotëve – ngrinte.

Mësova, ah, ç’mësova…-

Si thahet pështyma,

përse meket fjala,

se si thinjen ëndrrat

netëve gjer në zgjime…

Mpaket silueta

dhe mbetesh në kllapa,

thjesht si një relike (…)

2. Dashuri,

trupëzuara prej dhimbjesh,

gënjeshtare e pa strehë,

sikur një çast t’më lumturoje

si një të çmendur të kuptimtë-

Një Botë të Re do të ndërtoja

me emrin tënd si dritë në Shpirt…

Tashmë dhe netët paskan ftohtë…

M’i ngrinë ëndrrat, n’djep të lindjes,

si hakmarrje të pazakontë…,

vetëm pse e lodhën pritjet…

Iliriana- (Zgjas një krah, diku larg..

 Ç’m’u tremb ëndrra e pafajtë…)

5 qershor, 2019,

Brooklyn, NY

/www.QendraPress.com/