MUZEU I KUJTESES SE FEMIJERISE

——————————————–

Bëra ç’bëra, ngrita një muze

Ndryshe nga ato qe keni parë,

Kujtimet mblodha një nga një

Në pavijone kujtese duke i ndarë.

Në fillim mu desh të punoj me kujdes

Në grumbullimin e lodrave të fëmijërisë,

O zot ç’far gjeta thellë në kujtesë

Cingla, topa lecke, shpata druri, llastiqe.

Diku një makine ndërtuar me tela

Me timon të gjatë po prej teli,

Më tej një karrocë me guzhineta

Shkruar mbi të “made in Imeri”.

Pa gjeta ca rroba, të vjetra fare

Triko leshi punuar me shtiza bukur,

Diku në qoshe një pale sandale

Qepur me pe në vendin e këputur.

Një çantë lecke me rrip të gjatë

Ca libra brenda e ca fletore,

Çanta që mbaja lehtë në krahë

Kish lapsa brenda dhe shishe boje.

Dhe gjeta një album fotografik

Me foto të vogla bardhë e zi,

O zot sa keq mungojnë disa

Mungojnë disa nga ish shokët e mi.

Kështu e ndërtova muzeun modest

Me çka munda të mbledh prej fëmijërisë,

Ishte gjithçka që me heshtje flet

Për kohën e lumtur të asaj varfërisë.

Bëra ç’bëra ngrita një muze

Një muze vetëm për moshën e fëmijërisë

Për moshën e artë dhe pa interes

Dhuratën më të çmuar prej perëndisë

/www.QendraPress.com/