Çaste poetike me poeten:Kumrie Avdyl SHALA

KTHJELLUNI, BURRA E GRA

——————————————

Nuk kam guxim ta luftoj dashurinë,

kam frikë ta pëshpërit edhe me veten time fjalën “të dua”.

Se dashuritë janë bërë mistike,

nuk të vrasin, por as nuk të lënë të fluturosh.

Rrugën ta ndërpresin, s’të lënë të freskohesh

tek kroi i fshatit, si dikur,

kur mes shkurreve dhe kalldrëmeve

ecnim veç për të qenë pranë njëri-tjetrit.

E tani… gënjeshtrat po duken si e vërteta,

martesat tridhjetëvjeçare po i përbuzni,

sytë ju ka verbuar dashuria e rreme.

Hej, kthjelluni, burra e gra!

Ajo ju çon në prag të varrit

kur në krahët tuaj vendosni dorën e gabuar.

Ka ardhur një kohë e zbrazët,

një mjegullnajë e rëndë ka kapluar njerëzimin.

Çdo ditë po përballemi me marrëzi,

por askush s’do të mbetet njeri.

Askush s’di më të dojë, as të dashurohet.

S’ka mbetur zemër e pastër,

se çdo ditë e hedhim dashurinë si një shishe të thyer,

pa kthyer kokën prapa, pa menduar:

A po lëndojmë dikë?

A po ia vrasim shpresën rinisë?

Duke na parë në marrëzitë tona,

edhe pse me grada të larta shkollimi,

po u përcjellim mesazhe të trishta.

Kthjelluni, burra e gra, se latë nam!

/QendraPress/