Çaste poetike me poeten;Llesh GJOKA
NUK DUA TË NDALEM
————————————————-
Në një shportë me fije argjendi po shoh si rrallohen lulet
Se ditët janë mokra, hanë pak nga pak rrugën
Nëpër dritare po mbyllen një nga një perdet
Bulkthit po këlthasin këngën e tyre të muzgut.
Nga brigjet shoh pelikanë flatërgjërë duke rrahur ajrin drejt meje
Në furtunë më zhyten mendimet, fiksioni i syve të mi
Copëra resh i kap me dorë, i tjerr fije – fije
Në vekun e vjetër thur përrallën e jetës sime.
E shoh si koha përkulet, bëhet urë e ajërt
Kalimi bëhet thirrje për bohemët që s’vdesin
Më rrëmben një erë profane, më shtyn përtej
Dëshirat shkrihen kockash, bëhen lule dhe kërcej.
Fytyra më shndërrohet, tabelë ku mund të gjuajnë
Pres shigjeta me duar, kërcej në anën tjetër
Faltoren e lashë, murgjit le të luten
Unë një shenjë po shkruaj, diku në palimpsest.
/www.QendraPress.com/