Çaste poetike me poeten;Margarita Llapushi ZENELI

POEZIA QË S’E KAM SHKRUAR ENDE
——————————————————
Unë ende se kam shkruar poezinë më të bukur
E kam një poezi të fshehur,
një mal të pathënë në zemër,
është si era që flet me gjethet,
por kurrë nuk ia tregon emrin vetes.
Ajo fle nën qepallat e natës,
si një hënë që s’ka guxuar të ngrihet,
e unë mbaj në duar një qiell bosh,
ku yjet ende s’kanë mësuar të ndizen.
Fjalët më rrinë si zogj në fyt,
fluturojnë brenda meje pa krahë,
e unë nganjëherë i ndiej vargjet
si rrënjë të padukshme në kraharor.
Poezia ime më e bukur nuk ka ardhur akoma.
Ajo endet diku mes pritjes dhe dëshirës,
si një det që e kërkon bregun
pa e ditur nëse ekziston vërtet.
Do të vijë ndoshta kur një fletë vjeshte
të më puthë ballin pa zhurmë,
apo kur shiu i parë i marsit
të më zbresë në shpirt si një premtim.
Ndoshta, kur një emër të më digjet në buzë,
e një ëndërr të më dridhet në sy.
Atëherë, poezia ime më e bukur
do të jetë vetë unë,
pa fjalë, pa rima,
por e gjallë,
si një zemër që rreh përtej vargjeve.
Ajo poezi akoma s’është shkruar…
/QendraPress/