Çaste poetike me poeten;Rudina Muharremi Beja

DHEUT TIM
__________________________
S’e kujtoj mirë si e humba udhën,
e zgjodha të shkoj kaq larg teje,
bekimi im
Ti toka ime,
që në gji mban etërit,
ndalesave të përjetshme!
Sa herë që me avash shkel kurmin tënd,
gjunjët më dridhen,
njëmijë ndjesi fshikullojnë njëkohësisht
qenien time prej njeriu të vockël,
e të pafuqishme,
gjoksit n’dhimbje kur t’avitem!
Oshtijnë hapave emocionet,
tek lexoj rrëfenjën e historisë tënde,
fshehur relievit të drobitur,
në çdo grimcë dheu, guri, rëre
Mos u tremb dheu im,
kur trupin ta vrasin
njerëzit e zymtuar stinëve…
Qofsh e bekuar toka ime!
Nusëron hireve bukuria jote,
rron portreti yt prej ëndrre,
në duart e nënave që tundën djepet,
bujarisë së monopateve,
luadheve të kujtimeve
që galopojnë matanë sinorëve,
e agonisë së shpresave,
që lahen, thahen, muzgut të vonë,
aty ku vala puth bregun e mallit,
përqethjes, ku brenga rron!