Çaste poetike me poeten:Teuta SADIKU

DASHURI NË KOHËN E NDRYSHIMEVE KLIMATERIKE.
——————————————————————————
Doja të më doje siç do ajrin
ajo fara e vogël në dhe groposur filizat
e mi të çajnë cipën e tokës
e frutat e mi trupin tënd të mbulojnë.
Doja afshin tim përvëlues të provoje para se
Dielli ngrohtësinë të zvogëlojë oksigjenin
tim nga mushkëritë të jepja e të thithja
pranë teje dioksid karboni.
Le të duhemi, pa ardhur fundi i botës
shkencëtarët thonë se nuk do të vonojë
le të duhemi pa u kthyer në mbetje toksike
si të vetmet specie në varkën e Noes.
& & & &
KU TA DIJE TI POET
———————————
Në distancë ne takoheshim mbrëmjeve,
gjoja rastësisht, kur pikonin yjet sa herë i
vështronim në agoni të shihnim ndonjë
kur binte i lirë
(një ndër mrekullitë e botës duhej të shpallej Erosi)
për të na u plotësuar ajo dëshirë.
Dashuri në largësi me vargje e strofa
vetëm e imagjinuar deri në delire të paguximtë
për ta shprehur me gojë mbushnim kupën e qiellit
me verën e kuqe që dot nga afër nuk e pimë të dy,
edhe pse larg, buzët na i përvëlonte.
Pastaj më ulje në prehrin tënd si fëmijë
më lexoje poezi nga Esenini, Lorka ,
Sampfo me pathos e theksoje çdo varg e rimë
se dashuria në të gjitha gjuhët është paqe. .
Një metaforë më tërhiqte vëmendjen
plot habi unë hapja sytë e dëgjoja se
si simbolet grindeshin me alegorinë ,
]i shpallnin njëra- tjetrës luftë të hapur.
Ku ta dije ti poet shqiptar në mërgim ,
miku im i netëve marramendëse një epiteti tënd
çapkën dikur me naivitetin e tij (dikush do të thoshte)
më kish zënë rob në grackën e dashurisë.
Ku ta dije ti poet në mërgim se
ç’ndjenja ngjallte poezia jote.
& & & &
EDHE HUMBJA ËSHTË PËRPJEKJE. .
——————————————————
Mund të humbësh rrugën në një metropol
pasi ke humbur metronë,
Humb kohën duke pritur në metro
në autobusin e Kasharit mund të humbësh kuletën.
Humb njeriu të dashurën për hiçgjë
po gjen një grua tjetër nga një shok.
Humb kujtesën kur vjen një moshë
por gjen ngushëllim tek një nip apo mbesë.
Humb punën kur ka inflacion por gjen
në korridorin e spitalit një krevat bosh .
Humb pikëpamjet e tua në politikë
por gjen mbështetje nga partia në opozitë .
Humb gjumin kur hyni në një trekëndësh erotik
por gjen hapur vonë në mbrëmje një farmaci .
Humb të drejtën e kujdestarisë në gjyq
por fiton bastin se kush fitoi kampionatin.
Mund të humbësh gjithçka një natë dimri
edhe trupin jashtë mund ta harrosh
& & &
POR
————————
kujdes veten mbani fort mos e lëshoni në vetmi,
mos e humbni.
Është e trishtë kur shikon femrën
të humbë fillin nga lëkura e saj që s’prodhon
më fije mëndafshi.
Burri i saj e ka humbur durimin
kur trupi i saj nuk e ngroh më shtratin.
Humb njeriu çdo minutë diçka nga vetja kush dritën e syrit ,
dikush prostatin heq një shoqja ime la çantën në market.
por të nesërmen gjeti një shok për jetë.
Një fëmijë sirian humbi shtëpinë nën zjarre
por tjetri u bashkua me familjen e vet.
Humbni,
Humbni pa turp edhe humbja është një përpjekje jete.
Teuta Sadiku.