Çaste poetike me poetin:-Alban HAJRUSHI

PLAGË NË GUR, PLAGË NË SHPIRT

(REÇAKU I LIRISË)

I.

Sot Në Reçak flet dheu me lot,

Flet me gjak, flet me eshtra, flet me mot.

Plagët janë male që s’shërohen kurrë,

Si zjarr në shpirt, si thikë në gur.

Sot Në Reçak qan edhe era,

Qan për fëmijët, qan për nënën e mjera.

Qan për babën që s’u kthye në prag,

Qan për jetën që u shndërrua në varr.

Ku është drejtësia?

Ku fshihet ajo?

Në cilën errësirë u zhduk, ku u mbyll sot?

Ku është drejtësia për gjakun e derdhur,

Për Reçakun që kurrë s’u shërua, veç u ther?

Më 15 janar shkojmë me shpirt në dorë,

Me lot që bien si shi mbi gurë e varre.

Jo për shëtitje, jo për fjalë boshe,

Për nderim të shenjtë, për plagë që s’po mbyllen as sot, as nesër.

II.

Sa mosha të vogla i mori dita e zezë,

Fëmijë që s’patën kohë as të rriten në jetë.

Djepa u kthyen në arkivole,

Lodra u shndërruan në simbole dhimbjeje.

Sa mosha të vogla u prenë në mes,

Si lule në pranverë që s’panë kurrë vjeshtë.

Regjimi i zi me duar gjaku,

Shkroi histori me plumba, jo me fjalë e drejtësi.

Zot, mallko ato duar pa zemër,

Që vranë fëmijë, gra, burra me emër.

Duart që s’ndërtuan kurrë një shtëpi,

Veç shkatërruan ëndrra, veç mbollën zi.

III.

Çka patën fëmijët?

Veç buzëqeshje,

Çka patën gratë?

Veç dashuri e shpresë.

Çka patën burrat?

Veç djersë e nder,

Veç ëndrra për jetë, jo për ferr.

Çka patën ata?

Veç emër e gjak,

Veç tokën e tyre, veç pragun e shtëpisë,

Veç Reçakun plak.

Ata s’kishin armë, kishin zemër,

Kishin familje, kishin emër.

Emrat u gdhendën në gur të ftohtë,

Zërat u shuan në natë pa dritë.

Dhimbja u bë mal, u bë det, u bë qiell,

U bë plagë që s’shërohet as në një mijë vjet.

/QendraPress/