Çaste poetike me poetin;-Enver SAHITI

Sonte
—————–
Sonte gjithçka rreth meje ka ndryshuar
Një dritë shprese që duket si iluzion
Një ndryshim që kam vështirësi për ta besuar
Se dritë nuk është çdo gjë që ndriçon
Drita e fortë nuk të sjell liri
Por pabesisht, si ari, të verbon
Si shkëlqimi verbues i lakmisë
Që këngën ëndrrës ta shurdhon
Sonte, me sy të mbyllur
Mësova të shoh thellë, shumë thellë
Në botën kur të verbërit prijnë
Në shpirt lind shpresa e vërtetë
E mundohem ta ruaj zemrën nga zallahia
Kur furtunat e botës të lëkundin
Ti shikon me sytë e zemrës
Dhe errësirës së botës nuk i shihet fundi
E zemra nuk pranon të mos besoj
Edhe pse të naltin na e rrehin telin
Vazhdon të besoj me mish e me shpirt
Se ka një dritë shprese në fund tuneli.
/QendraPress/