Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

SHI BIE MBI ALPE
———————————-
Mëngjesi i zymtë Alpin
i lëvarë reve
m’i vodhi gëzimet e ditës
dhe ëndrrat e trazuara
të mbyllura tek arka
e verës pandemike
Mbase duhet t’i bindem
kësaj dite të zymtë gushti
dhe dëshirave të prangosura
të verës sivjet
që nuk ia pamë syrin e shkëlqimit
atje mbi Sharr
Vetëm malli
i mbathi mbathcat e kthimit
e flatroi flladeve në Vërri
të çmallë kujtimet e lëna
ndër lisa
këtu e tri dekada e gjysmë
më herët
Retë e zymta
të këtij mëngjesi Alpin
nisën të pikojnë shiun
e kujtimet e përmallshme
përtej xhami
mallkojnë vitin e mbrapshtë
dhe epokën pandemike.
/www.QendraPress.com/