Çaste poetike me poetin;-Gëzim AJGERAJ

SI TA LEXOJMË POEZINË

—————————————

Nga pusi i thellë i mendimit

Nxjerr imazhin e fjalës

Kërko botën e përtejme të muzës

Në prapaskenë

Dhe shijo ajkën e fjalës

Në rrjedhë metaforash

Shpalos vargun

Si një fletorkë të pahapur

Dhe brenda fjalëve

Kërko myhyrin e mendimit

Si bleta

Mbi nektarin e luleve

Asgjë s’i ngjan fjalës

Në dukjen e parë

Shpalos fletë – fletë

Metaforat e fshehura

Prapa lisave të fjalës

Se aty është fshehur mendimi

Kurrë mos e kap imazhin e vargut

Si një tabu fjalësh

A si një mendim i thënë

Në çiltërsinë e saj

Kërko fshehtësinë e mendimit metaforik

Që është fshehur brenda fjalëve

Nëse ke hapur portën e fjalës

Kërko muzës së saj

Fundin e pusit të mendimit

Hulumto!

Kështu do ta shpalosim

Mesazhin e mendimit metaforik

Zvicër, 6 maj 2020

/www.QendraPress.com/