Çaste poetike me poetin;-Halil XANI

URA E MIQËSISË

———————-

Janë të mëdha

Në Pejë urat

Mbi Lumbardh

Janë të mëdha

Në Gjakovë urat

Mbi Drinin e Bardhë

Janë të mëdha

Mbi Ibër urat

Në Mitrovicë

Janë të mëdha

Në Vushtrri urat

Mbi Sitnicë

Ka ura të mëdha

E më të mëdha

Në këtë tokë

Por më e madhja,

Më e forta,

Është një urë

Që i lidh

Dy shokë.

***

ME MBESAT

Herët në mëngjes

M‘thërret mbesa flokëgjata

Zgjohu gjysh nga gjumi

Se u harxhua nata!

Kur perëndon dielli

M’thërret mbesa e dyta

Hajde o gjysh brenda

Se u harxhua dita!

Eja rrimë pasdarke

M‘thotë mbesa e treta

Ti na tregon përralla

Dhe ngjarje t‘vërteta.

***

NUK KEMI

TJETËR TOKË

Në malet tona

Plot gjelbërim

Si kërpudhat

Mbijnë gurthyes

Që nuk sjellin

Asgjë të mirë

Vetëm pluhur

Dhe shëmtim.

Pritet mali

Pa mëshirë

Ngelin cungat

Si lugetër

Përfitojnë

Matrapazët

Malin shteti

E mbron

Veç në letër.

As lumenjtë

S‘i lënë rehat

Pa kontrollë

Zallin ua marrin

Prishin florën

Dhe faunën

Kështu lumenjve

Ua bëjnë varrin.

Arat tona

Bukanike

Mbushen gurë

Dhe beton

Plot markete

Pompa benzine

Athua kush

Për këtë mendon?

Brezat tanë

Para nesh

Këtë natyrë

E mbrojtën si sytë

Ata menduan

Edhe për ne

Se nuk kishin

Tokë të dytë.

/QendraPress/