Çaste  poetike me poetin;-Ilir RESNJA

MOZAIKU I STINËVE

——————————–

Pranvera

Zogjtë çukisin

pikëza drite

në livadhin e pranverës.

Shkrijnë akujt,

buzëqeshin sythet

e luleve të qershive.

“Simfonia e pyllit”,

orkestra e zogjve,

pa partiturë.

Lumë i rrëmbyeshëm,

qiell pa kujtesë

që ikën, shkon…

Mbi ujërat e pagjumë,

një mjellmë

fle e qetë…

Fluturat në kopsht,

vallëzim ëndrrash,

për trupin e lodhur.

Ajo lule “mos prek”,

dikur ka pasur

emrin e një vajze.

Dredhëza

“ia prishi mendjen”

murit të shtëpisë.

Vajza ujit lulet,

dy zambakë të bardhë

çelin në muzg.

Fllad pranvere,

bien lulet e kumbullës,

fluturojnë cicërimat…

Një javë zgjati,

sa lulëzimi i qershisë,

dashuria e ciganit.

Si zogjtë mbi barin e fushës

fluturojnë pasionet…

Mëngjes i qetë,

të bukura çelen anemonat

rreth varreve.

Mbi brirët e kaut

ulen dy zogj,

diçka i thonë njeri-tjetrit.

Një harabel kërcen para meje,

më fton të luaj me të,

bastuni më pengon.

/QendraPress/