Çaste poetike me poetin;-Imer HYSA

PER TY NJERI

—————————-

Përpiqu fjalën ta zgjedhësh të artë

e buzëqeshjen ta dhurosh pa shtirje,

ta ruash gjakftohtësinë pa u ndezur flakë

dhe kur dëgjon përgojime pas shpine.

Përpiqu ti burrë i lartësuar baba

e mbi shpatulla ke barrë të rëndë,

djallin vrastar që brenda vetes mba

vrite, mos e lër të turbullojë mendtë.

Përpiqu ti grua me bashkëshort

e lartësuar me titull “nënë fëmije”,

dashurinë njerëzore ta ruash fort

si cipë të hollë virgjërie.

Ti pushtetar që të besojmë të ardhmen

shtrij dorën ngrohtësisht, mos shit mend

në fund të fundit, nje ditë të afërt a të largët

në dhomën e errët do jeshë, në dy metra vend.

Ti biznesmen që punëson njerëz

e djersen e tyre e kthen në ar për vete,

mos luaj me mundin, mos e vidh djersën

të mbyt edhe një bulëz djerse.

Përpiqu o njeri, fjalën ta zgjedhësh të artë

e buzëqeshjen ta dhurosh pa shtirje,

ta ruash gjakftohtësinë pa u ndezur flakë

dhe kur dëgjon të përgojojnë pas shpine.

/www.QendraPress.com/