Çaste poetike me poetin;-Kastriot FETAHU

ERRËT…
——————————
E vramë edhe një poet,
ashtu siç vrasim çdo ditë
një punëtor, një fshatar,
një emigrant apo një nxënës shkolle
dhe një vajzë që lufton.
Vrasim muzgun e një mbrëmjeje
dhe agun e mëngjesit,
shtëllungat e reve të bardha
dhe fëshfërimën e barit
në savanën e virgjër
të gazelave të pafajshme;
fluturimin e zogjve shtegtarë
dhe rrugën e peshqve në det.
Vrasim legjenda dhe poezi,
këngë dhe harta,
njerëz, figura të dritës
dhe ngjallim kufoma.
Nuk ushqejmë endacakun
nuk e falim fyerjen
dhe vrasim gra që dashurojnë.
Në kaosin tonë errësira vret
me dritën e çmendurisë,
përbuzja e arsyes
ndez djajtë kundër engjëjve.
I vrasim…
Dënimi ynë çliron plumba
kur shohim statujën lakuriq të poetit.
/QendraPress/