Çaste poetike me poetin;-Kujtim HAJDARI

DJALI I ”MBRAPSHT”
——————————
Vetëm rrugët e vendlindjes nuk i harrova dot kurrë,
Mbetën të freskëta në mendjen time si agimi i djeshëm,
Ashtu si zogjtë ulen e më përshëndesin në fluturim,
Ma rrëmbejnë, ma ngrenë pezull shpirtin tim të ndjeshëm.
Retë më përshëndesin si shamibardha e ikin në mërgim,
Duke më lënë me blunë e qiellit që më shplodh aq shumë,
Do shihemi përsëri si vitesh jemi parë, më thonë me pëshpërim,
S’u tremben më balonave të mia si dikur kur i shpoja gjithkund.
Lulet i mbyt e qeshura nën zë e më ndjekin me ëmbëlsi,
Dikush i bie shoqes me bërryl ”S’është më ai djali grindavec,
Ai që na këpuste gjethe e fletë, tashmë është tjetër njeri,
Ai që s’ngopej me aromë e përrlyhej me polen çdo mëngjes.”
Dhe pemët me kokrra, të fshatit s’më shikojnë më me frikë,
Si atëhere kur trembeshin e shpesh më paguanin haraç,
Kur u hipja në majë e i bëja të dridheshin me vërtik,
Kur mëngjeseve më gjenin nën hijen e tyre ku flija kulaç.
Gurët e rrugës që akoma nëpër dhëmbë kanë gishtat e mi,
Gishtat e këmbës kur zbathur bridhja si i marrë,
Tani ndjekin hapat e ngadaltë e të matur me një ritëm të ri,
Nuk qeshin më si atëherë dhe një hije trishtimi u rri varë.
Dikur, dhe yjet kur mungonin i ndiznim me sytë tanë,
Ndaj më shikojnë me habi sonte e më pyesin kush jam?
Hëna s’na ndiqte dot në vrapin tonë e flinte nën mullarë,
Rallë e shihnim, kur lante faqet apo gushat e vajzave në ar.
Më vështrojnë sonte e më pyesin me zërin e butë e të avasht,
Kush është ky, ku është ai i mbrapshti? dhe unë i shoh me mall,
Sa do kisha dëshirë ta takoja dhe unë atë djalë të “mbrapsht”
Jeta e tjetërsoj kaq shumë sa: a do ta njihja dot vallë?
/QendraPress/