Çaste poetike me poetin;-Kujtim HAJDARI

EJA SONTE, I DASHUR!

———————————–

Eja sonte, në këtë perëndim kujtimesh,

ballin tim të trishtë, të nxehtë të viteve,

t’i japësh jetë me dorën tënde të ëmbël,

si në legjendat e lashta të riteve.

Eja, ti që më fshin lotin me fjalën e dashurisë,

sot plagën time të rëndë që aq shumë dhëmb,

ta përkëdhelësh në djepin e agonisë,

pak ajër e diell t’i japësh me zjarrin tënd,

Eja të më rizgjosh rrahjet e zemrës,

të më shkundësh përhumbjen e kujtesës,

Merrmë, shëtitmë në baçen e bukur të ëndrrës,

Hiqma me ngadalë vellon e bardhë të harresës.

M’i mblidh me dorën tënde të butë, të lehtë,

me kujdes, si vesh një fëmi, sythet pa çelur,

degëzat e vyshkura, të vrara, pa fletë,

ato që u thyen e rrugës kanë ngelur.

Ato që ndër vite, m’i shkelën, m’i thanë.

Eja i dashur, merrmë në krahë, jepu pak jetë,

hiqma trishtimin dhe plagët që më dhanë,

sa ndjehem keq, sa dhimbje, sa e shkretë.

Eja, të dy bashkë, besomë, s’ka gjë se dhëmb,

do t’i mbysim jehonat që vijnë nga larg,

dashuria jonë si një lule mbi shkëmb,

do të dijë të zbusi dhe dhimbjen nën plagë.

Me këngë zemre ëmbël kemi për t’i kënduar,

(për të mos patur më, kaq shumë, dhimbje)

do gjejmë prapë buzëqeshjen e munguar,

buzëqeshjen e ëmbël të një fëmijë.

Eja, eja sonte i dashur!

/QendraPress/