Çaste poetike me poetin;-Lutfi MEMA

URA MIQËSIE NË BOTË…
“Nuk di se çfarë armësh do të përdoren në Luftën e Tretë Botërore,
por në Luftën e Katërt Botërore do të
luftohet me shkopinj dhe gurë”.(Albert Ajnshtajn)
Bota sot kërkon përqafime,
është përgjakur nga luftë e gjatë,
është lodhur në pabesi, flijime,
në keto luftra bota u plak…
Tokë e thinjur nga hallet, robëria,
të fortët egër kërcisnin dhëmbët,
bota nga pushtues s’merrte frymë,
shpirti i rëndonte si plumb i rëndë…
Dikush diku ndez një shkreptimë
dhe pastaj vendi ndizet flakë,
njerëzit rrëmbimthi braktisin qetësinë,
të gjejnë rrugëdalje, të mbyllin atë plagë…
Jeta në tokë bëhet e ashpër,
dhimbje ndjen në shpirtin e saj,
kudo rrjedhin lot të pastër,
bota dergjet në ulërima, në vaj…
Kushdo arsyes duhet t’i flasë,
para se jetën ta minojnë,
logjikën asnjëherë s’duhet ta humbasë,
të lërë foshnjat pa frymë, që belbëzojnë…
“I zemëruar njeriu s’përdori gurin,-
shkruante në libër Frojdi i madh, –
një mendim të ri për botën pruri,-
njeriu po merrej vesh me fjalë!”
Zjarrndezës, botën mos e bëni të vuajë,
mos e lini kohën që të rënkojë,
dëshira juaj për luftë rri zgjuar,
Por bota paqes do t’i këndojë…
Të ndërtojmë ne ura miqësie,
çdo vend të ftojë vizitorë,
turistë, të mos jetojmë në lumë varfërie,
diell të kenë të gjithë në shpirt…
Të jetojmë në paqe, në harqe ylberësh,
mozaikë me ngjyra natyrës t’i shikojmë…
O jetë e re, plot dritë, mirë se erdhe,
koha dhe bota do të vallëzojnë…
S’ka më luftë me dyfekë të ndryshkur!
Lufta e tretë është nukleare,
nuk ka fitues luftënxitës të mykur,
s’ka mbijetesë në botën e madhe…
Nuk do luftëra njerëzimi,
s’do lot, gjak e marrëzi…
Kërkojmë kudo të ndrijë agimi,
kërkojmë të lindë një diell i ri…
Bota flet me gjuhën e shpirtit,
bota flet me gjuhën e zemrës,
lufta t’i mbetet kujtesës historike,
si ujëvarë e Niagarës të rrjedhin këngët…
Kjo për popujt është ëndërr e bukur,
e vërteta mbetet bijë e kohës,
kjo e bën jetën të lumtur,
të mos rrojmë në frikën e forcës… —
Nuk është forca, është bukuria,- –
tha Dostojevski,-që do shpëtojë botën!”
Edhe në humnera do të ndrijë gjithësia,
do t’i fshijmë gjurmët e shqotës…
Të mbijnë kudo lule dëshirash,
dielli të ndrijë lart në re,
të largojë mjegullën, errësirën,
vëllezëri të ketë kudo mbi dhe.
Duartrokasin popujt paqdashës,
të gëzuar anembanë botës, ata,
që ditën të kuronin plagët,
ata që thanë dete lotësh…
Prelud i paqes, historisë,
bota me dorë do të prekë ëndërrën,
dhe, kur ka arritur lartësitë,
në simfoni do nisin këngët…
LUTFI MEMA Personalitet i Shquar i Arsimit Kombëtar