Çaste poetike me poetin;-Maxhun OSMANAJ

NË IKJE NJËRI, NË ARDHJE TJETRI

————————————————-

Po ikën ky vit me mijëra kujtime

Çdo ditë rrokulliset si gjethe e vrarë

Ndoshta për shumë fsheh ngushëllime

Apo mos fundin do ta ketë të mbarë?!

Nata e fundit na thërret si përgjërim

Apo na djeg shpirtin si këmbanë malli

Diku arkivohet për një t’pashlyer kujtim

E zgjodhëm kështu apo fati na fali…?!

Po vjen një Vit i Ri si dritë në horizont

Me hapa të rëndë si shpresë që rizgjohet

Ndoshta s’thotë asgjë, krejt i zakontë

Dhe secili n’ëndrra t’thyera mashtrohet.

Dikush e piu këtë vit si kafe e përvëluar

N’mes hijes dhe errësirës së heshtur

Mos është jeta si këngë e trazuar?

Me fate të papritura që rëndojnë ngjeshur.

Me buzëqeshje të lodhura, ikën ky vit i vjetèr

Do të pushojë në kalendarin e historisë

Kryeneç, hijerëndë, po vjen një tjetër

S’dimë asgjë, ç’shpirt do t’i falë njerëzisë?!

Istog, më 11 djetor 2025

/QendraPress/