Çaste poetike me poetin;-Nexhbedin BASHA

ERDHI SI RE, U UL

SI ENGJËLL

————————————–

Erdhi si re u ul si engjëll,

Abetaren shqipe solli nga Manastiri,

Të mbjell dituri nëpër Atdhe,

Në Dibër përhapi dritën si dielli.

Hapi Shkollën shqipe, zemër sojnike,

Fluturimin e ndali me shqipe…

Vargje ka thurur për flamurin Arbënor,

Si “shqiponjë historia ta shkruan lavdinë”,

Janë fjalët e poetit Haki Sharof…

Si nëna që përkund fëmijën mëkoi diturinë.

Në oda ku ka mençuri i mori peshë fjala,

Si një pishtar ndriçoi çdo vatër dibrane,

Luajti si kronikan me vargun dhe muzën,

Dhe eci si vigan në gjurmë të viganëve…

Nën dritën e kandilit ngrohur pranë oxhakut,

I mburrur për ideal ngriti çerdhen mbi gur,

Poeti nuk ju tut as pushkës së shkjaut,

Në deje i vlonte gjak arbnori djegur për flamur.

/QendraPress/