Çaste poetike me poetin;-Rexhep F. MORINA

LIRISË I DHANË JETË

(Dëshmorëve Mujë Krasniqi e Beqir Gashi,

dhe dyzetë të rënëve në betejën e Pashtrikut me 14.12.1998)

———————————————–

Nga Hasi në Has udhëtonin luftëtarët,

Secili në shpinë, të rëndë e kish barrën.

Dhjetori ishte i ftohtë, me acar kallkan,

Bjeshkës së Pashtrikut, ecte një karvan.

Barra tyre rëndonte, me halle të mëdha,

Municion e armë po bartnin me krahë.

Krahët e fort shkëmb, e zemrat si çelik,

Ta flaknin robërinë dhe të egrin armik.

Të gjithë luftëtarët, mbronin një qëllim,

Vetëm liria e atdheut për ta kish kuptim.

Kolona marshonte nëpër shtigje bjeshke,

Hijet lëviznin me sinjale të mistershme.

Pararoja vazhdonte tek Likenet e Hasit,

Aty korbë zezat ia kishin vënë grackën.

Çlirimtarët ndeshen me armiq përballë,

Atë çast në dy anë, armët shkrepin zjarr.

Lufta në grykë mali e ashpër shpërthen,

Shoku e kërkon shokun, aty pran të jenë.

Kundër hasmit në betejë u duhet guximi,

Të luftojnë trimërisht, e të çahet rrethimi.

Armët shkreptijnë, zjarrin se pushojnë,

Bijtë e bijat viganë t’pa epur qëndrojnë.

Mujës e Beqës u jehon pushka si kënga,

Thonë bini mbi armiq, e tu bëhet gjëma.

Trimat thirrin fort, pushkët u qëllojnë,

Krismat si melodi, aty fort kumbojnë.

Tytat villnin zjarr dhe digjnin si flakë,

Nata terr e akull, ndal karvanin e gjatë.

Pushka e Mujës hesht, kur i bie nga dora,

Në tërë Lugun e Zi me gjak skuqet bora.

Me gjak heronjsh, që bashkë ranë dyzetë,

Ata me jetën e shtrenjtë, lirisë i dhanë jetë.

/QendraPress/