Çaste poetike me poetin;-Rudi BERISHA

MALET I PËRKULEN ME MADHËSHTI

(Abedin Rexha-Sandukani)

1.

Malet i përkulen me madhështi,

I veshur me rroba lufte, trimi,

Në kraharorin e tij kishte qëndisur

Flamurin e shqipes së përgjakur, kuqezi.

Sa bukur i rri veshur uniforma e çlirimit,

Në gjoksin e tij mban rrathë fishekësh.

Diellit i mori rrezet e ngrohta e hënës dritën,

Sandukani bën dritë vetëm për një Shqipëri.

Malet i përkulen dhe qëndrojnë të rreshtuara,

Po ashtu gratë dhe burrat që qëndronin të radhitur

Në gjerdanin e atyre që luftuan për liri të atdheut,

Të tokës së pushtuar me shekuj nga sllavët serbë.

Ditët e luftës për ty komandant ishin jetë,

E jeta u kthye në dritë për sytë e shqiptarëve,

Kur errësira kishte mbuluar tokën dhe ishte bërë mjegull,

Ju, me shokët tuaj, i dhatë kuptim edhe vet jetës.

I mbylle sytë, o trim, që t’i hapësh në përjetësi,

Atje të jesh i përqafuar me aromën e luleve.

Nga qefini yt i bardhë, sot vajza juaj e dashur, Leta,

Ka veshur fustanin e saj më të bukur të nusërisë.

2.

Të varri juaj është ardhur e veshur më të bardha

Aty Leta po derdhë lotët e saj për mallin tënd,

Që e ka rënduar shpirtin e saj të bekuar, o trim,

Si një gur që digjet nën rrezet e diellit të ngrohtë.

Leta:

Eh, more baba, sa shumë ndjej mall për ty!

Edhe zogjtë sot këngën e kanë kthyer në vaj,

Edhe fushat e malet sot janë veshur me kurorë,

E gjitha toka e Shqipërisë ty, baba, do të nderojnë.

Baba i dashur, o heroi dhe trimi im i vërtetë,

Një dhimbje sot po ma shtrëngon gjoksin tim,

Se nuk jeni më mua në ditën e dasmës sime,

Të ia themi këngës e të vallëzonim vajzë e babë.

Por erdha këtu te varri të them se po më mungon,

Të them baba se të dua, e shpirti po më ngushton.

Sa ndjej sot dhimbje, por të kthyer në krenari,

Se ti je heroi im dhe madhështi për një Shqipëri.

Baba, dua të them se malet të përkulen me dinjitet,

Toka të ka kthyer në dritë për udhët tona të jetës.

Ju, baba, nuk keni vdekje, por vetëm ndërrim jete,

Se për mua dhe gjithë shqiptarët, jeni lis pa vdekje.

3.

Sandukani:

Ju, o sokolesha e babait, qëndroni të fortë,

Kurrë mos ju dorëzoni jetës që udhëton.

Unë isha në mes jush, e ju keni gjakun tim në trup,

Ju përqafoj nga përjetësia me dashuri të çlirimtarit.

Unë jam i qetë, bija ime, në botën time të përjetësisë,

Por kurrë mos e harroni, se jam hije që ju vështroj.

Përditë ndjej aromën tënde, i shoh hapat e tu në jetë,

Por kurrë nuk dua të shoh dhimbje, por vetëm gëzim.

E dashur bija ime, oj zana e maleve të atdheut,

Ju jeni shqiponjë, mos ndaloni fluturimin në qiell.

Atje në qiellin e kaltër deri tek retë e bardha fluturoni,

Ju, Leta ime, me krenari, përherë mua më kujtoni.

Leta ime e dashur, nuk dua sot të shoh të mërzitur,

Buzëqeshi babës si dikur, kur ishe fëmijë i vogël.

Atëherë, kur të kisha në përqafimin tim të ngrohtë,

Dua përherë ty, çikirrushi im, të mos shohë lot në sy.

4.

Leta:

Eh, more babë, po sot shpirtin ma flladit këto fjalë,

Sa shumë ma lehtësove këtë shpirtin tim të plagosur.

Lotët e mi, o babë, janë uji që të dërgon për të ujitur shpirtin,

Dua këta lotë të mi të jenë uji i pijes suaj në përjetësi.

Atje dua që lotët të vinë tek ti, i dashur baba,

Se malli nuk më hiqet që prej vitesh që s’të kam parë,

Po një gjë, o baba, më bën të jem krenare me ty,

Lufta e lavdishme e UÇK-së, që ti luftove për LIRI.

Baba, fytyra juaj sot ka marrë një nur të bardhë,

E nga ai nur kam qëndisur fustanin tim të nusërisë.

Sot po i dha fund beqarisë dhe po bëhem nuse përherë,

Por unë kam një kurorë në kokë, për Lirinë e Kosovës.

Jam veshur bukur, baba, dhe po më sheh, o i lumti baba,

Jam këtu para teje, te varri dhe pllaka e bardhë.

Këtu jam unë, duke folur me ty, por a më dëgjon baba?

Do isha sot e lumtur, sikur ti të ishe më mua në krah.

5.

Sandukani:

E dashur bija ime, unë nga larg të puth në ballë,

Eh, sa bukur dukesh, moj nuse, dhe dukesh për mrekulli!

Je veshur me fustanin e ëndrrave tua, në ditën e gëzimit,

Të uroj nga përjetësia të kesh vetëm të bukura dhe dashuri.

Po të shoh nga larg, të bëj me dorën time të bardhë,

Të përqafoj me mall, por dhe më shumë dashuri.

Unë, baba juaj, po i lëshoj perdet e mbylljes së bisedës,

E lumtur dhe gëzuar për ty, bija ime, Leta ime e dritës.

/QendraPress.com/