Çaste poetike me poetin;-Sabit RRUSTEMI

BOTA QË S’U SHIJUA MJAFTUESHËM
—————————————————–
(MuRait, në një ditë të veçantë të pasjetës së tij, si sprovë për ta rikujtuar në një variant të ri)
I
Shkrimtarit emblematik të Prishtinës
i iku dita me pamjet e vjedhura
nga dora e një hajni
Rrugës që zbriste tek sheshi
pa një çantë dore mbet
pa idhuj, pa notes
e … edhe pa tekst
Një botë e paparë
e krijuar për mijëra e mijëra vite
sa hap e mbyll sytë
u tret
E lëshoi toka pa britmë
Në ç’kantë bërlloku
a çufrajë parku përfundoi
ajo pamje varri e Sadek Hedajatit
Po fotografitë me gjurmët e Kafkës
shënimet e përdtishme
ai filxhan i kafes
Vendet nga ec përditë
idhulli ku është ndalur
Apo e dashura e tij
e ngrirë në një stacion treni
ku do t’jetë degdisur
Rrudhë supet kalimtari
që ngjeshë nën sholla
mijëra fije bari
II
E – express-ot me radhë
në kafenenë para teatrit
nuk e kthjellojnë
Vetëm brengat
së brendshmi e mjelin
cigaret e bëjnë shpuzë
në taketuke
Policët sa nuk qeshën në zë
kur i a morën deklaratën
Si dëshmi identiteti
vërtetim t’ përkohshëm i lëshuan
për nisjen e hetimeve
Po kjo s’e ngushëlloi
mësa nata që iu kthye
krejt e zbrazur
me mungesë të dashurish
e skica vargjesh
Çdo t’i thoshte nesër Sadek Hedajati
si do t’ia dëshmonte përkushtimin
Po Kafkës
Ah …
Ai as që do ta dëgjojë
mësa të dashurën
Mbylli sytë
për t’i kërkuar përmes ëndrrës
Një zhurmë nate
e la dhe pa ëndrra
Mëngjesi
e nxori në të njëjtën rrugë
për ditë me radhë
Hajni i një dite më parë
lëre që nuk la kund gjurmë
po as përmes ndonjë pusulle
nuk e ngushëlloi
Arkeologëve të së ardhmes
do t’iu duhen qindra vite hulumtime
për ta shpërfaqur në publik
botën e një Njeriu
që s’u shijua mjaftueshëm
(Prishtinë, 22 Korrik 2009 – Zhegër, 7 qershor 2025)
/QendraPress/