Çaste poetike me poetin;-Sahit OSMANI

GJUHA SHQIPE

——————————–

 Tridhjetë e gjashtë tinguj ngjizen

në palcën e gjuhës

E vijnë me kumbim si ortekë bjeshkësh

E vijnë me jehona valësh kryengritëse

Të lumenjve të zbritur në

fushat me lule të Naim Frashërit.

Në ato fusha bashkohen e krijojnë fjalë

 Të ëmbla e të hidhura si vet jeta.

Ashtit të moçëm i mëkojnë sythat

ndër dej të gjakut qarkullojnë të papërlyera.

Fjalët shpërthejnë nga e perëndishmja gjuhë

Me vrullin e zemrës, me ngrohtësinë e gjakut

 Për ta krijuar trungun me rrezatim hyjnor

E fytyrën engjëllore të dalë nga Lufta e Trojës

Të ekspozuar në çdo varg homerik.

 Gjuhë shqipe, ti zgjua bletësh

Fjalët tua pikojnë mjaltë dashurie

Kur shfaqen të stolisura me kurora dafine

Në fushat e lulëzuara të mendimit

Nëpër gurrat e freskëta të rrëfimit.

/QendraPress/