Çaste poetike me poetin;-Sami MULAJ

KU PO DALIM N’BJESHKË SIVJET ?!

(…edhe si pergjigje për pyetsorin e poetit Mujo Buçpapaj )

————————————————————————-

Ka dalë djali

n’kersha t’Brovinës,

po i pisket në fyell Jutbinës…

Ku po dalim n’bjeshkë sivjet,

boll je rritë e s’ke çka pret ?

Në Tringëllimë

ku e prekim ylberin,

n’Dobërdol

e kem ma afër diellin,

a n’Sylbicë

ku e shplojmë krejt qiellin ?

N’çifteli ja kthen syzeza,

në Ujezë ku e fryj gjinin,

n’Koshoticë

t’ja qesim tymin,

n’Balçinë

e qethim ogiçin,

n’Rupa t’Krasniqes

ku djeltë ta shkelin synin.

N’Gjarpen t’Bujanit

ta tundim klynin,

n’Korita t’Gashit

shkelim qylymin.

N’Pojanë t’Shipshanit

te shpella e borës

ta pshtojmë pa e kallë shpirtin,

e n’shpellë t’zogjëve

t’ja marrim n’gushë

këngën bilbilit.

N’Markofçe t’Plavës

n’maje t’pishës

zogit gushkuq

t’ja puthim synin.

N’Terkuzë

t’Mujës e Halilit,

ku çikat si zana,

n’kmisha t’ngushta

e nisin kcimin.

N’Radeshe

me tamel bore

ta freskojmë ballin e fytin.

N’Rreshkëz t’Berishës

ku n’lkurë të ukit

e pjekin kingjin.

E n’Lumë të Gashit

tuj lujt e qesh,

n’dritë të hanës

ta zgjatim ymrin.

SMulaj

Gusht 11, 2025

New Jersey, USA

/QendraPress/