Çaste poetike me poetin:-Setki Q.JASHARI

Udhëtim në kohë…
——————————
Dielli pas malesh, ka perënduar
Një qetësi, shumë e çuditshme…
Fshati im, dikur i zhurmuar
Sot i braktisur, tejet shurdhuar…
Eci jerëm, ndër vreshtë e brinja
Dhe hëna, sapo është zgjuar
Me petkun e saj, të argjentë
Lumin, fusha, male ka mbuluar
Më ysht ëmbël një dëshirë
Trilloj, me kohën të udhëtoj…
Të bukurën Mari, të kërkoj
Dhe djalin, që atë dashuroi…
Rëshqas, si gjahtar i rregjur
Kërkoj ndër pemë e shkura
Një çamarok…
Një shamataxhi…
Një djalosh guximtar…
Me opinga lope në këmbë
Me këmish të grisur supeve
Me zemrën që i rihte si vullkan
Me sytë që xixa i lëshonin…
Pleqëria më tremb
Por hëna më grish
Dhe ylli im, më nxit
Të bredh mbi qylimin e argjent
Shtruar ndër pllaja, e livadhe
Të kërkoj atë…
Djaloshin që s’kishte frik
As djajtë e kuq…
As skuthët e shpellave…
As hienat me sy të erëta…
E besë vërtet kishte
Vetëm ndër yje
Vetëm tek qeni i tij pullali
Vetëm tek Xhoku, kali i tij
Dhe tek lumi, që i falte siguri…
Ehhh…
I dehur keq nga mrekullia
Udhëtova magjishëm në kohë
Kërkoja të shikoja sërish…
Veten time të kahershme
Atë…
Djaloshin e uritur…
Djaloshin e etur
Djaloshin e pagjumë
Të dashuruar marëzisht
Pas mrekullive të natyrës
Dhe pas të bukurës, Mari
Hej, sa e ëmbël ishte magjia…
Sa e bukur mu shfaq, Maria
Aty tek kisha, tek selvia
Sa s’përshkruhet mrekullia!!!
Kur më qeshje, moj Mari
Lumturia s’kishte kufi
U ndalua, valë e lumit
Pushoi këngën edhe bylbyli
Çeli bukur dhe tërfili
Pa u zbut edhe ujku
U lazdruan dhe sorkadhet
Kudo sundonte mirësia
Qeshte bukur edhe hëna
U çakordua planeti
U tjetërsua dhe gjithësia…
Ah, ç’më shkanë, këmbët e mia
Keq u rëzova, un’ mavria
S’më kish faj bota, as gjithësia
Por pleqëria, dhe mentë e mia
Dhe s’di, hëna pse u largua
Rrëmbeu edhe petkun e saj
Me errësirë, dheu u mbulua
E s’duket më, as fund, as maj
Ehhh, trillimi im…
Udhëtimi në kohë, ka mbaruar
Shpresat e mia, kan’ perënduar
Errësira më dhuroi trishtim…
Më fali mërzi, në shpirtin tim
Valë e lumit është zgjuar
Më zbon mua nga gjumi
Këlthet dhe hutini
Dhe zhaba lumturuar
Që unë t’mos rri i hutuar
Se s’jam më si dikur, i ri
Se s’ka më, asnjë mrekulli…
Se s’ka më, asgjë…
As, dhe një hyjnore Mari
Në fshatin e braktisur
Në fshatin e shurdhuar
Në vreshtët e shkretuar
Atje mbeta unë…
I vetmuar, i haruar…
/QendraPress/