Çaste poetike me poetin:-Ymret RESHITI

Hije që më ndjek
————————–
Mbrëmja zbret pa zë, si një psherëtimë,
por unë e ndiej – e dëgjoj atë kthim.
Është hija që kthehet,
si një udhëtar që troket në derën e harruar.
Është më shumë se mall,
është një plagë që s’qan më me zë,
një fotografi e djegur në qoshe të mendjes
që syri nuk e sheh, por shpirti ende e dallon.
Hapat e mi nuk janë më hapat e mi —
i ndjek ajo:
ajo hije që s’ka emër, as adresë,
por njeh çdo ndjesi që kam harruar ta ndiej si dikur.
Më kujton zëra,
të butë, të shuar,
buzëqeshje që s’kanë më formë,
por që ende digjen në bebzat e syve të mi,
si prushi pa tym, si era pa zhurmë.
Dhe unë,
një udhëtar i përhumbur mjegullnajave të kohës,
mbaj me vete këtë errësirë me përkëdheli foshnjare,
sepse më bën të ndihem gjallë… në dhimbje,
sepse më bën të ndihem dritë që s’e gjen dritaren kurrë.
/QendraPress/