Çaste poetike me poetin:- Ymret RESHITI

JEP NGA VETJA

————————–

Sado lumenj të derdhësh nga shpirti,

nuk do të thahesh kurrë,

ti je vetë burimi.

Ti je shi i egër

që bie mbi shkretëtirën pa paralajmërim,

pa leje nga toka,

pa pyetur a, e meriton etja fare.

Jep.

Për zemrat që mykohen në heshtje,

për sytë e përhumbur diku nëpër kohë,

për buzët që kanë harruar shijen e buzëqeshjes,

për shpirtrat që ngurtësohen në gurë.

Jep nga dashuria jote e madhe.

Le të bëhet ajo,

ilaçi që shëron zemrat e helmuara,

zëri i lutjeve që kanë mbetur pa u dëgjuar,

shpresa për ata shpirtëra të humbur e të harruar.

Ti nuk je thjesht njeri që jep.

Ti je ajo që njerëzimi

dikur e ëndërroi të bëhej,

kur ende besonte fuqinë e fjalës.

Jep pa llogari,

pa faturë,

pa pritur kthim në horizont.

Dhe kur një ditë ky trup të thyhet si gotë e brishtë,

nuk do të ketë rëndësi sa ke mbledhur,

vetëm sa ke lënë pas ,

si gjurmë jete që ende merr frymë.

Prandaj jep, o njeri i urtë.

Jep pa frikë.

Nëse do të mos vdesësh kurrë!

/QendraPress/