Çaste poetike me poetin:Gëzim AJGERAJ
FQINJËSIA ME SATANËN
—————————————
Nga përtej gardhi ky fqinji im
me shajkash e gjarpër mbi kokë
ka njëzet vjet që hije m’i bën diellit
e lutet përditë për mortin tim
sikur s’u ngop qe njëqind vjet me gjakun tim
që ma piu ditë e natë, e me
eshtrat e mi ndërtonte kalanë e
hierarkisë atje mbi Kalamegdan
sikur s’i mjaftojnë ato qindra mijëra varre
që m’i mbolli kodrave, fushave e maleve
kullave e oborreve të mia e me
dhimbjen time ngriti të gjitha perandoritë
e krimit të pandalshëm shekullor
As rrita e ndërprerë në gjysmë
e fëmijëve në varre plot
pleqve e plakave, të rinjve pa rini
nënave e motrave plot plagë e dhimbje
As ato varreza masive që i ngriti
në Batajnicë, në Rashkë e ujërave të Danubit
në Nish, Kurshumli apo edhe gjithandej
tokës së përgjakur Dardane
Dhe përsëri ulërin bisha e Kalamegdanit
e këndon orë çast himnin e krimit mbi shqiptarë
Kam njëzet vjet që hap e mbyll varre, e shumë
ende të hapura në pritje të të zotit
Kam njëzet vjet që bisha me krrokamën e korbit
nga andej përtej gardhit ndjell mortin tim
dhe assesi ta kuptojë këtë racë njerëzore
me shpirtin e egër prej bishe
Medet ç`fatkeqësi për mbijetesën time
me fqinjin satanik përtej gardhi…
/www.QendraPress.com/