Çaste poetike me poteen:-Teuta Elshani

FERRI

——————

Mos më tregoni për ferrin.

E kam shkelur me këmbë,

tymin e tij e mbaj në mushkëri,

më është ngjitur në lëkurë si hi i zi.

Kam ecur nëpër ferrin tim—

jo në ndonjë jetë të përtejme e të largët,

por këtu,

në rrugë ku heshtja rrjedh gjak,

ku drejtësia kthen kokën nga ana tjetër,

në sytë bosh të atyre

që numërojnë dhimbjen me letër e laps.

Nuk ishte diku poshtë tokës—

ishte këtu.

E kam parë me sytë e mi,

e kam parë drejt në fytyrë.

E megjithatë ende jam këtu,

duke marrë frymë,

duke e shqyer heshtjen,

duke refuzuar të digjem.

/QendraPress/