Çaste poetike në fillim jave me poeten: Igball Brava KRIVANJEVA

Mall i pashuar

———————————-

Vitet ikin me trokun e shpejtë të kohës

e ti na shfaqesh si një nusezanë moderne..

Na ka marrë malli të të shohim mes odës

të kujtojmë të tjera ditë të bukura jete…

Thërras, thërras me sokëllimën e maleve..

Në heshtje vitesh të duam të zgjuar sërish…

Zëri yt na duket si fjongot e kaltra të valëve..

Fytyra jote na mbeti si livadhi në blerim…

Ti fle në këngët e munguara të dasmës ..

Ti fle në vargjet tona të mallta, të kristaltë..

Ah, princeshë të të kishim pranë mes vatrës..

Të kuvendonim me dashurinë më të zjarrtë…

Nuk e ndalim dot vrapimin e viteve si sokëllimë

Në mermerin e varrit lulet vetëm çelin..

Përherë do të të kemi, o e bukura gjeraqinë

si në një portë ku gjithë parajsën e prekim…

/QendraPress/