Çfarë do sillte rrënimi i Rusisë?

 Janusz Bugajski

                            Shpërbërja e Federatës Ruse do të përmirësojë sigurinë dhe stabilitetin e disa rajoneve relativisht afër me të, përfshirë Ballkanin Perëndimor. Ushtria shtetërore moskovite e mposhtur në Ukrainë, nën sanksione të rënda ndërkombëtare, me rënie të të ardhurave nga energjia, buxhet të zvogëluar dhe e privuar nga baza e saj e burimeve në Siberi, do t’i ketë aftësitë për të sulmuar fqinjët apo për të nxitur trazira jashtë kufijve të saj të reduktuara në mënyrë domethënëse.Ndërsa Moska kthen sytë nga vetja për t’u marrë me krizat e brendshme të shumëfishuara, kapaciteti i saj për agresione jashtë vendit do të bie. Aftësia e saj për ta futur Evropën në kurthin e varësisë energjetike, për t’u përfshirë në korrupsion politik dhe për të përhapur dezinformata (informacion të rremë) do të kufizohet.Krahu lindor i NATO-s, nga Arktiku deri në Detin e Zi do të bëhet më i sigurt, çfarë do të rrisë zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin rajonal. Ukraina dhe Moldavia do të jenë në gjendje të rifitojnë territoret e tyre të pushtuara dhe të kërkojnë integrimin në BE dhe NATO pa u frikësuar nga reagimi i Rusisë. Bjellorusia do të mund të arrijë pavarësinë e saj, të zhvillojë demokracinë dhe të ndërtojë marrëdhënie produktive me fqinjët e saj.Në Ballkanin Perëndimor, pa mbështetjen ruse, mundësitë e Serbisë për të destabilizuar rajonin do të reduktohet dhe kërcënimi i konfliktit të armatosur në Bosnje-Hercegovinë, Kosovë dhe Mal të Zi do të zvogëlohet. Projekti i BE-së mund të fitojë sërish vrull dhe NATO-s nuk do t’i duhet të vazhdojë të mbrojë një krah të brendshëm të saj nga ambiciet e Moskës.Gjithsesi, Uashingtonit dhe Brukselit i duhet të jenë të kujdesshëm që të mos ndezin konflikte të tjera përmes ndonjë kompromisi me mini-imperializmin e Beogradit. Krijimi i çfarëdo entiteti të veçantë serb në Kosovë do t’i japë zemër qeverisë separatiste serbe në Banja Luka dhe gjithashtu mund të çojë në thirrje për ndarjen e Malit të Zi.Me një Rusi të dobësuar në Kaukazin e Jugut, Gjeorgjia do të jetë në gjendje të negociojë për rikthimin e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut në republika autonome brenda një federate gjeorgjiane.Armenia dhe Azerbajxhani më në fund do të jenë në gjendje të nënshkruajnë një traktat paqeje pa ndërhyrjen e Moskës. Kjo, gjithashtu, do të ulë ndikimet negative iraniane në rajon, ndërkohë që Gjeorgjia dhe Azerbajxhani mund të vendosin marrëdhënie me republikat e pavarura që po krijohen në Kaukazin e Veriut. Shtetet e Azisë Qendrore do të ndihen gjithnjë e më të çliruar nga Rusia dhe mund t’i drejtohen Perëndimit për marrëdhënie më të thella energjetike, ekonomike dhe sigurie.Në mbarë federatën ruse do të krijohen shtete të reja pro-perëndimore, çfarë mund të rrisë stabilitetin në disa rajone të Evropës dhe Evroazisë.Në të njëjtën kohë, Kina do të synojë të zgjerojë ndikimin e saj në mesin e shteteve bërthamë në Siberi dhe Lindjen e Largët dhe të fitojë akses më të lehtë në rrugët tregtare të Arktikut dhe veriut. Shpërbërja e Rusisë do të krijojë në këtë mënyrë pika të reja konfrontimi të Perëndimit me ambiciet e Kinës.Rajonet dhe republikat e Rusisë në Lindjen e Largët do të kërkojnë njohjen dhe investimet e jashtme dhe do rezistojnë të mos përfshihen në perandorinë ekonomike kineze në rritje. SHBA dhe BE duhet të punojnë në sinkron me Japoninë, Korenë e Jugut, Tajvanin dhe Kanadanë për t’i hapur rrugën kontakteve diplomatike dhe bashkëpunim ekonomik me shtetet aspirante.