Deklarohet Limaj: Nisma nuk ka marrëveshje me asnjë parti deri më sot

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se kjo parti nuk ka arritur asnjë marrëveshje me ndonjë subjekt politik deri më sot, por se është e gatshme të kontribuojë në krijimin e institucioneve të reja, raporton Ekonomia Online.

“Ne presim që qeveria, institucionet të krijohen sipas afateve kushtetuese. Ne do të luajmë rolin tonë në krijimin e këtyre institucioneve për sa neve na takon dhe kërkohet nga ne. Këtu përfundon detyra jonë kushtetuese. Kështu që pak a shumë këtu jemi. Nisma nuk ka marrëveshje me askënd deri më sot dhe Nisma është e gatshme dhe do të punojë fort që Kosova t’i formojë institucionet, Kosova të mos shkojë në një krizë parlamentare. Ajo që mund të themi deri më tani, ne nuk kemi asnjë marrëveshje me asnjë grupacion politik,” u shpreh Limaj.

Ai tha gjithashtu se nuk ka qenë pjesë e ndonjë takimi apo dakordimi politik, duke mohuar që të ketë pranuar ndonjë kërkesë zyrtare për takim apo marrëveshje.

“Nesër i keni, sigurisht mund të kenë zhvillime… Nuk e di çka ka ndodhur, unë s’kam pranuar. Unë nuk kam asnjë shkresë nga askush, unë nuk kam parë ndonjë takim, ndonjë dakordim diku që dikush mos të takohet. Nëse ju keni parë ndonjë takim, ndonjë marrëveshje, nëse keni parë ju ndonjë grupim dhe unë kam munguar, keni të drejtë me thënë. Nuk e di që ka pasur ndonjë takim. Deri më tani ne nuk kemi asnjë marrëveshje politike me askënd. Normalisht, kushdo që ofrohet, ne jemi të gatshëm të ulemi të bisedojmë,” tha Limaj.