E diela poetike e së dielës me poetin;-Mustaf KRASNIQI

Qerdha e Fëmirisë, Atdheu
—————————————-
Në qerdhën e vogël të fëmirisë,
aty ku shpendi hap krahë për herë të parë,
kam edhe unë atdheun tim,
me gjuhën që këndon si zog i parë.
Era më sjell aromën e dheut,
nga gurët e oborrit ku hodha hapat e parë;
çdo degë, çdo pemë,
më flet me zërin e prindërve të mi.
Në kroin e fshatit pasqyrohej qielli,
atje pija ujë me shokët e vegjël,
çdo pikë më dukej si lot i stërgjyshërve,
që lanin plagët e shekujve.
Në lisin e vjetër buzë kroi,
folenë e shpendit e ruaja si thesar,
ashtu siç ruaj sot në gjoks
flamurin që valon mbi varret e dëshmorëve.
Mësoja këngët e lahutës së gjyshit,
ku malet flisnin për beteja e gjak,
e çdo varg më shtonte krahë
të ngrihesha mbi re si shqiponjë.
Nuk ka zog që harron folenë,
as njeri që harron gjuhë e dhe.
Edhe kur shtegtari shkel botën,
zemra kurrë s’e shlyen kujtesën
për vendin e tij.
Atdheu është fole e përjetshme,
mbi trung, mbi gjak, mbi gjithë historinë,
aty ku djersa bëhet bukë,
aty ku gjaku bëhet liri.
Kthehem gjithmonë me mall,
si zogu në pranverë tek foleja e tij,
ku fëmijëria lidhet me flamurin,
e zemra bëhet një me atdheun
/QendraPress/