E DREJTA PËR JETË DHE E DREJTA PËR DREJTËSI

Përfundimi tragjik i Agon Zejnullahut në Lipjan , me të drejtë shkaktoi pakënaqësi dhe indinjatë prandaj pati reagime të shumta. Kërkohej përgjegjësi për policët e implikuar në këtë rast të rëndë sikur që kërkohej përgjegjësi politike dhe institucionale të atyre që realisht edhe kanë përgjegjësi. IPK – së fillimisht suspendoi 5 policë e që pas reagimit të opinionit iu caktua ndalimi policor prej 48 orëve që pastaj , me vendim të gjykatës iu caktua masa e paraburgimit 5 policëve . Si përgjigje ndaj përgjegjësisë institucionale , vetëm komandanti i stacionit policor në Lipjan dha dorëheqje apo u shkarkua . Dhe këtu , deri më tani mori fund përgjegjësia politike apo institucionale . Reagimi i opinionit dhe mediave ishte kryesisht kundër 5 policëve e që lë për të dyshuar se edhe vendimi për caktimin e masës së paraburgimit është si rezultat i reagimeve dhe presionit të madh. Nëse nisemi nga parimi se përgjegjësia është personale atëherë , në bazë të incizimeve duket qartë se si shkuan gjërat dhe se kush ka përgjegjësi konkrete për përfundimin tragjik të Agon Zejnullahut. Një rast jahtëzaknisht i rëndë ndodhi në stacionin policor në Therandë ku një i privuar nga liria , në rrethana të pasqaruara për publikun bëri vetvrasje pas së cilës u suspenduan disa zyrtarë policorë. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria ndodhi edhe në Klinë kur një qytetar i prangosur u ketrajtua nga policë ndonëse ishte neutralizuar dhe nuk përbënte rrezik për askend. Për të tre rastet KMDLNj ka reaguar duke kërkuar hetime si parashihen me ligj dhe , duke kërkuar të respektohet parimi i prezumimit të pafajësisë , si e drejtë e njeriut që rregullohet me ligj. Duhet të vlerësohet shumë puna e mediave për bërjen publike të këtyre rasteve mirëpo , në të njëjtën kohë KMDLNj e kundërshton përpjekjet e të gjithë atyre që duan të përfitojnë politikisht , për promovine personale , publicitet apo qëllime tjera. Përgjegjësia ligjore përcaktohet pas përfundimit të hetimeve dhe një procesi të drejtë gjyqësor , me një vendim të formës së prerë të gjykatës përkatëse andaj çdo ndërhyrje paragjykuese vetëm sa i pengon hetimet dhe vendimmarrjen gjyqësore të mbështetur në prova . KMDLNj ka një histori të gjatë bashkëpunimi me Policinë e Kosovës dhe nuk pajtohet me përgjithësimin e përgjegjësisë kur përgjegjësia është individuale . Policia e Kosovës , përkundër kushteve të vështira , ka bërë punë shumë të mira prandaj nuk mund të pranohet cilësimi se nga heronjë janë bërë dhunues brutal. Thjesht , kjo nuk është e vërterë dhe nuk përkon me realitetin. Ndërkaq , sa i përket përgjegjësisë politike dhe institucionale , për rastet e fundit përgjegjësia politike është 100 përqind te Ministria për Punë të Brendshne ndërkaq përgjegjësia institucionale është te zinxhiri konandues dhe mekanizmi mbikëqyrës. KMDLNj e informon opinionin se çdo shkelje që bëhet në ndalimin 48 orësh policor , hapësira publike dhe jopublike , i adresohet Policisë së Kosovës që është nën përgjegjësi të Ministrisë për Punë të Brendshme ndërsa shkeljet që bëhen në qendrat e paraburgimit dhe në qendrat korrektuese , adresa e përgjegjësisë është Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe e Ministrisë së Drejtësisë. KMDLNj inkurajon Policinë e Kosovës të mos i nënshtrohet urdhërave të politikës përkatësisht MPB – së që e cenojnë profesionalizmin , pavarësinë operacionale dhe integritetin e Policisë së Kosovës . KMDLNj – ë gjithashtu inkurajon gjyqësorin të mos marrë asnjë vendim nën presion të askujt për faktin se do të identifikohet si shkelës i të drejtave të njeriut duke mos garantuar hetime të pavarura dhe një proces gjyqësor të drejtë dhe të pandikuar nga politika apo grupet e interesit . Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasbur , në shumë raste ka kërkuar anulimin e vendimeve gjyqësore që janë marrë nën presion të publikut. Në Kosovë kjo thuaja po shndërrohet në standard , rregull. 10 korrik 2025 Prishtinë Shërbimi për Informim