E hëna poetike me poeten ; Teuta Biçaku

Mall i dehur

————————-

E zuri gjumi mallin dehur

me përqafime dhe puthje rrëkëllim pas rrëkëllime,

tani po endemi me krahë fluturash në lojëra që i kuptojmë veç ne,

ndalojmë herë pas here në të ëmblat kujtime.

Asnjë bukuri s’na tundon kaq shumë tani

sa çaji servirur dhe ëmbëlsuar me dashuri.

Dhe darka luksoze nën shandanë mondane

duket e varfër para filmit me kokat e njëra – tjetrës në pëqi.

Ndërkohë në udhëtim fluturash së bashku

të ulemi lule më lule me delikatesë,

të shijojmë çdo nektar deri në zgjim të mallit,

kur rruga e kthimit t’i mbushë sytë me vesë.

Ta dehim këtë mall tek frymojmë gaz e melodi shpirti.

Ta nanuritim që të flejë sa më gjatë.

Se kur zgjohet na trazon edhe kur flemë gjumë

e ditës nuk frymojmë gaz jete , por frymojmë mall.

Teuta Biçaku, korrik 2022