E shtuna poetike me poeten:Mimoza Gjetaj

Mallin se mundi dot
———————————————
Malli që ndjej për ty më ka pushtuar
Më djeg nga brenda si prushi nën hi
Dritat e shpirtit m’i mban ndezur
Me rreze engjëlli nga altari i shpirtit
Ngrohtësi zemre për të të dhuruar…
Malli që ndjej për ty më mban gatitur
Si besimtarin para altarit të lutjeve
Mbylli sytë, dua të të shoh me sytë e hënës
Të të flas ëmbël me dritën e yjeve
Me bukurinë e luleve të ta stolisë ballin…
Përqafimet i shpërndaj si stërkalat dallgët
Mbi syprinën e blertë të shpirtit të bukur
Të mijëra dëshirave që bien nëpër mua
Si shiu i ngrohtë mbi lulet e pranverës
Që pres të t’i dhuroj në secilën ditëlindje…
Vetëm me frymën e kësaj shprese
Nuk e shuaj dot mallin që ndjej për ty
Dua rreze nga dielli i dashurisë për mua
Akullin në shpirt ta shndërroj në lumë freskie
Të ujis lulet e dashurisë që ndjej për ty…