E shtuna poetike me poeten:Rudina PAPAJANI

VETËM ATY…

Të shoh të tronditur mbas dere,
pas një dritare si vegim,
rrugët shpërthenin lotët,
ndjesi e shpirtit në agim.
Të shoh të heshtur,
sepse aty ka mall,
shqyerje të kraharorit,
britmë e ëmbël në belbëzim,
cikje të një qielli,
fluturim në largësi.
Vetëm aty je shije e bukur,
shi i ngrohtë që të lag,
ujë gurgullonjës në gjethen e sapo dalë.
Të shoh të njomë në të linjta,
në avull e pasion,
thonë se kur lindi ngjyra ,
preku rrënjët e mëkatit tonë.
Aty mbas pemës lindi ngjizja,
aty fshehur në lëndinë ,
dashuronim si të marrë,
unë dhe zogu në shtegtim…