Escobar dhe Lajçak sot “zbarkojnë” në Beograd, mesazhet që dy emisarët dhanë pas takimeve në Kosovë 
dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ndërmjetësi evropian për dialog, Miroslav Lajçak, gjatë vizitës dy ditore në Kosovë u takuan me krerët e shtetit dhe liderët opozitarë.Pas retorikës së ashpërsuar me Beogradit dhe Prishtinës dhe frikës nga përshkallëzimi i situatës në Kosovë, Escobar dhe Lajçak thonë se asgjë e keqe nuk do të ndodhë, por Lajçak pas takimit që kishte me kryeministrin Kurti tha se komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar për ngjarjet e 31 korrikut dhe se nuk duhet të lejojë që ato të përsëriten më 31 gusht, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.“Mesazhi më i rëndësishëm është se jemi këtu me Gabriel Escobarin pikë së pari për të treguar se uniteti midis BE-së dhe SHBA-së është i plotë dhe nuk mund të jetë më i mirë. Ne po punojmë së bashku sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti, komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar lidhur me atë që pamë në terren më 31 korrik. Dhe pritet nga ne së bashku, ne si negociatorë dhe nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe prandaj jemi këtu”, tha Lajçak para gazetarëve.Ndërkaq, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar tha se nga takimet që kishin me krerët e shtetit morën siguri se ata nuk duan përshkallëzim të situatës më 1 shtator, ditën kur nis zbatimi i masës së reciprocitetit.“Ata na siguruan se nuk duan asnjë përshkallëzim, nuk duan dhunë në 1 shtator. Pra, tani jemi këtu sot për t’u siguruar që të gjitha ato dëshira të mira dhe gjithë ai optimizëm të përkthehen në të mirë të vendit”, tha Escobar.Esobar dhe Lajçak që të dy kishin takime edhe me liderët e partive opozitare në vend. Fillimisht krerët e partive opozitare u mblodhën në një “darkë pune” të mërkurën të thirrur nga Escobar, e ku prezent ishte edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier.Takim me opozitën Escobar kishte edhe dje, e ku prezent ishte homologu i tij i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak.Pas takimit, Lajçak tha se ka mirëpritur mirëkuptimin dhe mbështetjen e opozitës për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. “Në Kosovë sot u takova edhe me liderët e opozitës shqiptare të Kosovës për t’i informuar ata mbi Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. E mirëprita mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre për Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, i cili është në interes kombëtar të Kosovës”, shkroi ai.Pas Prishtinës, Escobar dhe Lajçak do të qëndrojnë në Beograd gjatë ditës së sotme.
Kujtojmë se Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, u takuan më 18 gusht në Brukel, por që s’arritën marrëveshje për targat dhe dokumentet serbe.
Për takimin në Bruksel, Kurti foli për herë të parë dje gjatë mbledhjes së Qeverisë. Kryeministri tha se Serbia u tregua palë destruktive në takim dhe nuk ofroi asnjë propozim konkret për dalje nga situata.