Familja Losha, një emër i shkruar në historinë e Shqipërisë me gjak, me sakrificë dhe me nder- Shkruan:Nexhbedin BASHA,gazetar&poet.

Nga Ditari i Kujtimeve kur isha mësues në Kacni

Në hijen e Kujtimit:Takimi me Shkurte Licën dhe nderimi për Dëshmorin e Atdheut, Tahir Destan Losha

Ishte dita ime e parë në fshatin Kacni, në fillim të një rruge të re si mësues i shkollës fillore. Një vend ku mali dhe heshtja ruajnë kujtime që nuk zbehen, dhe historia është e ngulitur në çdo hap e në çdo gur.

Aty më priti një grua me dinjitet të rrallë, fisnike — Shkurte Losha, motra e Tahir Destan Loshës, “Dëshmor i Atdheut” dhe nënë e një familjeje të madhe. Nga martesa me Hasan Stafën (Cenin), u lindën 11 fëmijë nga të cilët 6 janë gjallë; Hasimja (Miha), Nilka Perhati, Bedrie Hasa, agronome, Besniku, jurist e avokat, Avniu, zooteknik dhe Neziri mësues i bio-kimisë.

Nënë Shkurtja më priti me buzëqeshje të ngrohtë e respekt të thellë. Më ofroi një kafe të zier me kujdes e dashuri e misra të pjekura; një traditë që fliste për mikpritjen e trashëguar, për shpirtin e butë, por të fortë, të kalitur nga vuajtjet dhe krenaria.

Në shtëpinë e saj ndjeva menjëherë se isha mes njerëzve që kishin dhënë shumë për këtë vend, pa kërkuar asgjë në këmbim.

Gjatë katër muajve që qëndrova në Kacni, nuk isha më vetëm mësues, por një dëgjues i vëmendshëm i historive që nuk gjenden në libra. Nga Shkurta, nga familja Losha dhe nga banorët e zonës, mësova për jetën dhe rënien heroike të Tahir Destan Loshës – një emër që për shumëkënd është simbol i qëndresës dhe i besnikërisë ndaj idealit të lirisë.

Nënë Shkurtja, rrëfen i biri Besniku, u martua me Hasan Stafen, të njohur si Has’ Stafa – një burrë i mençur, mjeshtër i punimeve të drurit dhe teknik i parë që, në vitet 1949-1956, vuri në punë sharrën e Selizës në Kacnisë, që më vonë u bë stabiliment i përpunimit të drurit. Por Has’ Stafa nuk ishte vetëm mjeshtër druri; ai ishte mjek popullor për shërimin e kockave, dhe nuk kishte familje në “4 Grykë” e më gjerë që të mos kishte përjetuar dorën e tij shëruese. Përveç kësaj, ushtronte edhe zanatin e “dentistit popullor”. Fjala e tij ndiqej me respekt në fis, katund e më gjerë, dhe ai ishte pjesëtar i rëndësishëm i komisionit të pajtimit të gjaqeve në zonë.

Gjurmët që ata lanë nuk ishin vetëm të kohës së tyre, por të një fisi të tërë, të një vendi që rrezatonte histori, guxim dhe përkushtim ndaj njerëzve.

Unë e nisa detyrën si mësues në atë fshat me misionin për të dhënë dije, por u largova prej andej duke marrë me vete një thesar më të çmuar: njohjen me një familje që e ka shkruar emrin e vet në historinë e Shqipërisë me gjak, sakrificë dhe nder.

Rrëfimi i nipit, Destan Losha – trashëgimtar i një emri me peshë në histori

Nga nipi Destan Losha, që mban me krenari emrin e gjyshit – babait të dëshmorit Tahir Destan Losha, dëgjova një rrëfim të ngarkuar me ndjenja krenarie, dhimbjeje dhe zhgënjimi.

“Pema gjenealogjike e familjes sonë përbëhet nga shtatë fëmijë: Tahiri (dëshmor i Atdheut, që ra në krye të detyrës pa lënë trashëgim), Hasani, Saliu, Rustemi, Nazifja, Fazilja dhe Shkurte (Lica – Ceni).

Të shtatë ishin bijtë e Destan Loshës dhe të bashkëshortes së tij, Sibe Losha, të cilët i rritën me sakrifica e ndershmëri, duke u përcjellë dashurinë për Atdheun.”

Gjysh Destani ka qenë pjesëmarrës i nderuar në ngritjen e flamurit në Shpalljen e Pavarsisë Vlorë më 1912.

“Xhaxhai im, Tahir Destan Losha dhe ishte nj luftëtar i palëkundur i Brigadës V Sulmuese, nën komandën e Shefqet Peçit dhe Hysni Kapos. Po ashtu dhe vëllai i tij Sali Destan Losha.

Tahiri u vra në përpjekje me bandat e asaj kohe, në Iballë të Pukës, më 1948. Ra si burrat e Dibrës, në krye të detyrës, me pushkën në dorë, në mbrojtje të rendit dhe të idealit të Shqipërisë së re. Bashkë me të, ra edhe shoku i tij, Vasili.”

Emrin e tij e mban me krenari shkolla 9-vjeçare “Lunarë”. Dëshmori Tahir Destan Losha, i cili lindi në Kacni me 1917, nuk është thjesht një emër në memorial apo mbi një shkollë. Ai është kujtesë e gjallë, frymëzim për brezat që rriten me ndjenjë detyrimi dhe dashurie për Atdheun.

Por rrëfimi i Destanit nuk u ndal në të kaluarën. Nipi që u rrit me amanetin e xhaxhait, tregoi me zë të përmbajtur një të vërtetë që i rëndon shpirtin:

“Në gjurmët e tij kam ecur gjithë jetën. Nuk kam mbajtur pushkë, por kam mbajtur lopatën dhe kazmën. Kam ndërtuar vepra të mëdha kombëtare – hidrocentrale, uzina, rrugë e ura – si teknik në Fierzë, Koman e Banjë.

Kam punuar me ndershmëri e përkushtim, ashtu si do të kishte dashur xhaxhai im.

Emrin e tij e mban sot shkolla 9-vjeçare në Lunare, ndërsa shpirti i tij prehet i qetë në varrezat e dëshmorëve të rrethit Dibër.

Por sot… as unë, as fëmijët e mi nuk jemi vlerësuar për këto sakrifica.

Fëmijët e mi dhe unë kemi marrë rrugët e emigrimit, dhe me djersën e ballit kemi ndërtuar jetën tonë larg vendit.

Pse të mos jetojnë nipërit e dëshmorëve në Shqipërinë që e deshën të parët tanë?

Na mësuan se guri i rëndë peshon në vend të vet, por pse s’na lejojnë të peshojmë në vendin tonë?”

Sytë e Destanit ndritën për një çast, pastaj i mbuloi trishtimi:

“Si është e mundur që pas gjithë këtyre viteve, as emri i dëshmorit, as djersa jonë, të mos kenë marrë mirënjohjen e denjë nga shteti?

Pse të harrohen familjet që e ngritën këtë vend me gjak dhe krahë pune?

A nuk kemi të drejtë të jetojmë me dinjitet në vendin tonë?”

Ky rrëfim është një pasqyrë e thellë e realitetit shqiptar — ku emri i dëshmorit mbetet në kujtime e fjalë, ndërsa pasardhësit e tij shpesh jetojnë në harresë.

Një thirrje e heshtur për drejtësi e mirënjohje, që kujtesa dhe sakrifica të mos shpërblehen me heshtje, por me nderim të përhershëm.

Pllaka ‘Bazë e LANÇL’: Një kërkesë për drejtësi dhe njohje të sakrificës së harresuar

Historia e familjes Losha, një histori e mbushur me luftë, sakrificë dhe nderim, vazhdon të mbetet e pashpërblyer për shumë vite. Kërkesa për marrjen e pllakës “Bazë e LANÇL”; një simbol i angazhimit të tyre në Luftën Nacionalçlirimtare mbetet ende një kërkesë që nuk ka marrë përgjigjen që meritohet. Pllaka e shënimit, e cila mund të ishte një akt nderimi dhe falënderimi për sakrificën e familjes Losha, është mbajtur ende jashtë vëmendjes, duke mbetur një kërkesë e paplotësuar, një dëmshpërblim që ende nuk ka ardhur, megjithëse ata e meritojnë.

Tahir Losha, dëshmori i Atdheut, dhe vëllai i tij Saliu, dy heronj të luftës antifashiste nacionalçlirimtare, u angazhuan plotësisht për lirinë e Shqipërisë. Tahiri ra në krye të detyrës pas çlirimit, më 1948, gjatë një përpjekjeje me bandat e armatosura. Gjatë luftës, ata ofruan gjithçka, trupat dhe shpirtin, duke e shndërruar shtëpinë e tyre në një bazë të rëndësishme për luftën, një strehë ku luftëtarët e LANÇ-it mund të gjenin mbështetje dhe siguri. Megjithatë, përkundër këtij kontributi të jashtëzakonshëm, ata nuk morën kurrë shpërblimin dhe njohjen që meritojnë, asnjë vlerësim zyrtar për sakrificën që bënë për Atdheun.

Pas dekadash, është Destan Losha, nipi i Tahirit, që mbart këtë merak të pandalur, dhe që kërkon ta bëjë të njohur këtë histori të harruar. Ai kërkon të marrë pllakën “Bazë e LANÇL” dhe shpërblimin që i takon çdo familje dëshmori, njohjen dhe vlerësimin e merituar.

Në fjalët e tij, ai thekson:

“Ne nuk kërkojmë asgjë më shumë se atë që na takon, një nderim dhe një kujtesë të merituar.”

Për Destanin, dhe për shumë familje të tjera që kanë kontribuar në luftën për liri, ky shpërblim simbolik është një hap i rëndësishëm për të vlerësuar dhe nderuar heronjtë e pafuqishëm të historisë, ata që dhanë gjithçka dhe që shpesh janë harruar. Pllaka “Bazë e LANÇL” është një simbol që duhet të kthehet në realitet, për të mundësuar që sakrifica e këtyre individëve të nderohet dhe të mbetet një pjesë e pandashme e kujtesës kolektive të kombit.

Ata kërkojnë atë pllakë, dhe shpërblimin si familje dëshmori, jo vetëm si një memorial, por si një akt të domosdoshëm drejt drejtësisë dhe njohjes për ata që kontribuan për lirinë e Shqipërisë.

23 tetor 2025/QendraPress/