Farie Bisha ‘’Në kërkim të fjalës së bukur’’- Intervistë me artisten dhe poeten e njohur shqiptare  në diasporë .

QendraPress;-Kur  ju lindi  pasioni për poezinë?

Farie Bisha ;Në kërkim të fjalës së bukur Pasioni im për poezinë nuk ka lindur tani, edhe pse kohët e fundit po shkruaj më shumë. Për mua, poezia është si maja e një ajsbergu: ajo që shihet është vetëm një pjesë e vogël, ndërsa thellësia e saj qëndron e fshehur nën sipërfaqe, në pritje për t’u zbuluar.

QendraPress;-Në cilën moshë  filluat të shkruani?

Farie Bisha; Gjithmonë më ka tërhequr, por ndoshta më ka munguar guximi ose kushtet nuk ishin ende pjekur. Kam shkruar për herë të parë rreth të njëzetave, në atë moshë kur zgjohet ndjeshmëria dhe romantizmi, por e lashë përsëri mënjanë.

QendraPress;-Për kënd  është  poezia sipas jush?

Farie Bisha;Të shkruarit e poezisë është si të ngjitesh një shpat të pjerrët: kërkon përqendrim, përgatitje dhe mbi të gjitha ndjenjë. Është një proces që të fton të reflektosh, të përjetosh, të thellohesh. Poezia, besoj, është për shpirtrat e ndjeshëm dhe të pastër.

QendraPress;-Çka ju tremb më së shumti?

Farie Bisha; -Një poezi e bukur është ajo që, përmes fjalës, përcjell një ide që mbetet brenda teje dhe të shtyn të mendosh. E konsideroj si një nga format më të larta të finesës dhe shpirtërores. Pikërisht për këtë arsye nuk kam guxuar më parë. Më tremb mediokriteti. Më mirë të mos shkruaj fare, sesa të krijoj diçka të cekët.

QendraPress;-Sa  zgjat udhëtimi i poezisë sipas mendimit tuaj?

Farie Bisha;-Sa më shumë i futesh një fushe, aq më shumë kupton sa pak di. Poezia është një udhëtim që nuk ndalet kurrë. gjithmonë në ngjitje. Por kënaqësia që sjell është e pamasë.

QendraPress;-Kur ishte kontakt juaj i parë me librin?

Farie Bisha:-Në një seminar didaktik në Zyrih, dikush pyeti: “Si ka qenë kontakti yt i parë me mësimin?” Papritur m’u kujtua një skenë nga fëmijëria që e kisha harruar. Isha tetë vjeçe. Motra ime më regjistroi në bibliotekën e qytetit dhe më dha në dorë librin “Çufo e bubi kaçurel”. Ishte dhurata më e bukur që më bëri: më mësoi, ndoshta pa vetëdije, të isha e pavarur.

QendraPress;-Çka është  libri për Ju?

Farie Bisha:-Kontakti me librin nisi në familje, në një kohë të thjeshtë, por me shpirt të madh. Shkolla artistike më pas ndikoi thellësisht në formimin tim. Librat ishin miqtë e mi më të mirë, një oaz paqeje në vitet e vështira.

QendraPress;-Biblioteka për ju çfarë ndjenje rikujton?

Farie Bisha;-Kur shkova në Itali, u gjenda përballë një bote të re. Bibliotekat më dukeshin si tempuj të ndriçimit. Në një kohë kur isha nënë me dy vajza të vogla, biblioteka ishte i vetmi “lluks” që i lejoja vetes. Doja që edhe ato të mësonin dashurinë për librin. Edhe sot, sa herë hyj në një bibliotekë, ndjej të njëjtën ndjesi magjike.

QendraPress;-Cili është çelësi   për krijimtari?

 Farie Bisha-;-ë vonë, pasioni për filozofinë dhe kurioziteti për psikologjinë më ndihmuan të kuptoj më thellë veten dhe botën. Intuita, e ushqyer nga përvoja, është çelësi që shpesh hap derën e krijimit.

QendraPress;-Çka është misterioze në art?

Farie  Bisha ;-Në art dhe letërsi ka gjithmonë faza. Ajo më misteriozja është “inkubacioni”, kur mendon, kërkon, ndjen… dhe papritur, si vetëtimë, lind ideja. Ky është momenti i shenjtë. Kur vjen, puna rrjedh vetë.

QendraPress;-Jeni më shumë poete e apo artiste?

Farie  Bisha;-Nuk e quaj veten poete, është një fjalë me shumë peshë. Jam një artiste pasionante në kërkim të vetes. Shkruaj për kënaqësi. Arti dhe poezia janë për mua si një barkë shpëtimi në det të hapur.

QendraPress;-Në fund,cila është nyja e brendshme shpirtërore?

Farie  Bisha;Kur arrin të lexosh ndjenjat e tua dhe t’i shprehësh bukur, është si të kesh zgjidhur një nyje të brendshme. Në atë çast, poezia nuk të përket më ty , i përket kujtdo që ka dëshirë për të../Intrevistoi,QendraPress/