FATI TRAGJIK I FEMRËS SHQIPTARE I PËRSËRITUR NDËR BREZA-Shkruan; Dr. Nexhat Çoçaj.

    (Recension për rirrëfimet e Besim R. Cenut “Ringjallja e baladave” botuar nga Shtëpia Botuese “GER”, Tiranë, 2024)

Besim Riza Cengu në këtë botim ka preferuar që ta zgjedh një gjini letrare të ndërmjetme në mes kallximit dhe tregimit artistik, në mënyrë që t’i ritregojë baladat popullore shqiptare të përhapura në mbarë hapësirën shqiptare nga burimi i Drinit të Bardhë e deri te Osumi, përkatësisht nga Pejë e deri në Skrapar e që shtrihen në kohë deri te koha homerike apo në mes këngëve kreshnike dhe legjendave, përkatësisht duke marrë nga të dyja nga pak për ta krijuar një stil të veçantë të analizës artistike të përmbajtjes së 14 baladave të përzgjedhura nga autori.

Në fillim po ndalemi te titulli i këtij libri “RINGJALLJA E LEGJENDAVE”

Me këtë rast duhet të ndalem te tre momente kryesore, që e arsyetojnë titullin e këtij studimi analitiko artistik.

Së pari – në hyrje të pjesës së parë autori na grish që të kuptojmë fatin e baladave dhe këtë rrëfim autori e ka titulluar “Vdekja e këngës” pasi ai si një pasionant i këngëve bëhet gati për t’i regjistruar disa këngë nga një plakë që kishte dëgjuar se i dinte këngët dhe e kishte memorien e fortë. Pra, që në fillim na bën me dije për një mënyrë të veçantë të trajtimit, e mbi të gjitha na grish për vëmendje se fati i gruas do të jetë boshti kryesor i këtyre rikallximeve. Dhe pasi bëhet gati niset dhe shkon në shtëpinë e plakës, por kur arritën aty sheh njerëz që kishin shkuar për mort dhe i prekur në shpirt autori mendon se ka humbur thesarin e baladave pa e mbledhur dhe e titullon tregimin “Vdekja e këngës”.

Së dyti – pas një kohe autori sërish komunikon me mikun e tij që i kishte propozuar plakën dhe i tregon se si mbesa e plakës i kishte trashëguar këngët, pra i kishte mësuar dhe kështu brezat e ringjallin këngën dhe kjo është arsyeja e titullit të librit “Ringjallja e baladave”.

Së treti – autori përmes mesazhit na bën me dije se shpirti artistik i popullit nuk vdes, por mund të vdesin vetëm njerëzit, ndërsa trashëgohen bartësit.

Nëpërmjet sinkronizimit, universi na tregon shpesh gjurmë, mesazhe dhe udhëzime të koduara brenda numrave. Numri 14 është një nga numrat sinkronizues që jo rastësisht Besim Cengu i ka përzgjedhur 14 balada për t’i ritreguar në stilin e tij:

Numri 1 shënon fillimin e marrjes së vendimeve dhe ecjen përpara. Numri 1 ka kuptim sepse flet për origjinën, pasi është hapi i parë me të cilin fillon çdo rrugëtim, që lidhet edhe me baladat e ritreguara.

Numri 4 përfaqëson aktin e krijimit dhe të kreativitetit, ndërtimin dhe mirëmbajtjen, aspekte produktive të jetës. Ai kënaqet me punën e vështirë dhe përpjekjet e vlefshme, gjë që përkon me personazhet e baladave në këtë libër.

Pavarësisht se libri është i ndarë në tri pjesë, autori nuk e ka ndarë librin sipas tematikave, por ka ndjekur rrugën e fatit të krye personazheve të baladave që janë femrat shqiptare. Dhe fare lehtë do mund t’i përmendim këto grupime tematike ose ndarje sipas motiveve:

– Femra në rolin e ruajtjes së traditave shqiptare

– Femra shqiptare dhe akti luftarak i tyre

– Pabarazia gjinore ose fati i keq i femrave shqiptare

– Dashuria e sinqertë dhe ruajtja e nderit nga ana e femrës shqiptare

Mbi këtë bazë do ta përflas përmbajtjen e librit, për të parë fuqinë e rrëfimit të ndërmjem të autorit për t’i trajtuar baladat në frymën bashkëkohore dhe me mesazhe të pavdekshme, në fakt rolin e femrën në jetën e shqiptarëve. Në një mënyrë këto nënndarje na vijnë të ndërthura në baladat e përzgjedhura nga Besim Cengu, apo bashkudhëtojnë me dashurinë e madhe të femrës për të ardhmen dhe fatin e kombit tonë.

1.Femra në rolin e ruajtjes së traditave shqiptare

Libri fillon me baladën “Aty ku zë fill jeta” (balada e lisit të djalit), ku autori pos rirrëfimit artistik për legjendën e lisit që ka marrë emrin Lisi i Djalit, na sjell të dhëna interesante mbi etnografinë e mjedisit ku ruhet historia e legjendës së këtij lisi, siç janë përpjekjet për të mbetur femrat shtatzëna dhe vuajtjet që kanë përjetuar ato gjatë lindjes, siç është rasti i rejës së Avdisë, e cili lind në ambient të hapur, pra rrëzë një lisi. Duhet përmendur këtu se autori i përmend edhe të dhënat e mbledhura nga shoku i tij, që kanë të bëjnë me kalin dhe qenin. Por, mbi të gjitha në këtë rirrëfim spikatë përpjekja e femrës shqiptare për trashëgimtarët.

Me këtë motiv, por në një këndvështrim tjetër është edhe Balada e Hasimes ose siç e titullon autori: Burrnesha me tirqi të zi. Në fakt në këtë motiv baladik autori ka ritreguar një histori të përhapur në gjithë hapësirën shqiptare, ku vajza e shtëpisë për ta mbrojtur nderin e shtëpisë traditat e konakut shqiptar vishet me tirqi të zi dhe e veshur si burrë shkon e i vret vrasësit e vëllezërve të saj e në fund për mos mbajtje të fjalës e vret edhe burrin e saj Halilin ose Lilën, i cili e ka merituar dënimin me vdekje për shkak të mos mbajtjes së fjalës së dhënë para se të martohej me Hasimin. Gjithsesi mënyra e rirrëfimit është mjaftë tërheqëse dhe e pranueshme për të gjithë ata që do ta rilexojnë historinë traditave shqiptare, që në njëfarë mënyre e kanë mbajtur gjallë kombin ndër breza.

Balada e tretë me këtë motiv është balada e Fatës dhe Alisë, që ndryshe mund të quhet edhe balada e besës, gjithashtu e përhapur në gjithë hapësirën shqiptare nga jugu në veri. Edhe kjo baladë është e ngulitur në shoqërinë tonë që në kohën e paraislamizimit dhe nge me vete një varg çështjesh që kanë të bëjnë me rolin e femrës për ruajtjen e traditës siç është Fata, Doruntina apo edhe me ndonjë emër në pjesët tjera shqiptare, që në fakt është i njëjti motiv, për çka nuk do të ndalem më gjatë, për t’i lënë mundësi lexuesit për ta kupuar më mirë.

2. Femra shqiptare dhe akti luftarak i tyre

Rrugëtimi historik i shqiptarëve ka dëshmuar se femra shqiptare nuk ka qenë e nëpërkëmbur, por përkundrazi ka qenë pjesë e pandarë e rrugëtimit luftarak krah për krah me burrat. Ashtu si burrat shqiptarë edhe femrat kanë marrë pjesë në luftëra qoftë për çlirimin e tokave, qoftë në mbrojtje të kullosave. Madje pjesëmarrja e femrave në mbrojtjen e kullosave dhe pasurisë është motiv shumë i lashtë që gjatë rrugëtimit prej epokës së kreshnikëve kanë ardhur deri në ditët tona, jo si legjenda të rëndomta, por si ngjarje të mundshme që kanë ndodhur. Në shumë nga baladat me këto motive përmenden edhe emërvendet se ku kanë ndodhur ngjarja e madje edhe emrat e heronjëve të këtyre betejave. Në vazhdim po i veçojmë tri balada me këtë motiv, të përfshira në këtë libër të Besim Cengut: Balada e shpellës së Jezinës, balada e Selman Litës dhe balada e Bajram Lulit.

Balada e shpellës së Jezinës- që autori na e sjell të ritreguar para tre dekadave nga një i moshuar, i cili edhe e shoqëron autorin deri te shpella e Jezinës, për të parë vendin se ndodhet ajo shpellë. Subjekti i kësaj balade është kur 60 vasha shqiptare duke u ngujuar në shpellë ato me gurë i pengojnë armiqtë e vendit që të futen në territorin e tyre, ndërsa okupatori me shpresën se do t’i zë vashat e ngujuara në shpellë e ndërton digën, por nuk ia del sepse njëra nga vajzat e kupton dhe e flet gjuhën e shpezëve, në rastin konkret gjuhën e qyqes e cila me sqepin e saj e shpërthen digën për t’i shpëtuar vashat dhe dështon okupimi. Kjo baladë i ngjason këngëve të kreshnikëve dhe komunikimin e kreshnikëve me kafshët dhe shpezët.

Ndërsa balada e Selman Litës, është një atribut tjetër i femrës shqiptare, që në fakt brenda këtij ritregimi pos aspektit luftarak të femrës kemi edhe traditën shqiptare. Nuset ose rejat e Selman Litës pasi marrin vesh se u janë vra burrat ende pa i parë, u drejtohen vjehrrit që edhe atyre t’u jepen armë për t’i luftuar grabitësit, gjë që edhe ia arrijnë dhe në këtë mënyrë falë kontributit të femrës, në rastin konkret nuseve arrihet të zihen grabitësit dhe kthehet pasuria dhe ripërtërihet ajo shtëpi.

Në anën tjetër balada e Bajram Lulit ose siç e ka titulluar autori “Jehona e kumbonave të deshve” edhe në këtë baladë në stane gratë janë ato që me gjeturinë e tyre arrijnë ta shpëtojnë tufën e bagëtive pa u grabitur dhe suksesi i qehallarëve në stane, të kujtojmë këtu hedhjen e kripës në xhibra për t’i ndalë grabitësit. Edhe këtu femrat heroina, gratë që janë ngjitur me burrat në stane na kujtojnë veprimet e Ajkunës së Kreshnikëve. Pra, figura e femrës në këto balada na del në rolin e heroinave, që nuk i kanë munguar asnjëherë e në asnjë etapë historisë së popullit shqiptar.

3. Pabarazia gjinore ose fati i keq i femrave shqiptare

Pa barazia gjinor dhe lufta kundër kësaj pabarazie është subjekt i shumë baladave shqiptare, por Besim Cengu ka përzgjedhur tre prej tyre, të cilat gjithashtu kanë shtrirje gjithëkombëtare.

Historia e një jete pafat ose ngjarja për Hijen e vashës – është një ritregim baladik që dëshmon se femra shqiptare, nuk është dorëzuar para pa barazisë, por ka luftuar atë të keqe dhe për t’ia plotësuar dëshirën prindërve pranon të martohet sipas traditave, që janë mjaftë mirë të përshkruara dhe me shumë saktësi, duke u ndalur edhe për kalin dhe për qenin dhe në fund pas disa dite kur ajo sheh se burri i saj nuk është i denjë për te, nën përcjelljen e qenit të shtëpisë së burrit ajo kthehet në familjen e saj nëpër mal edhe pse nuk e ka njohur rrugën.

Vrima e Nuses, është një baladë e mbledhur nga autori në fshatin më të skajshëm të Skraparit, ku ishim së bashku me te në atë zonë. Personazhi i kësaj balade nuk arriti që t’ia kthejë fjalën prindërve, për t’u martuar me dikë që nuk e njeh e nuk e do dhe sipas legjendës lutet që të hapet guri dhe fshihet në atë të qarë nusja, që zbret prej kalit, ndërsa krushqit shkojnë pa nuse. Sot ky vend në Skrapar shërben si gur shpellor, në të cilin përbihen gratë që nuk lindin fëmijë, përkatësisht që nuk mbesin shtatzëna.

Edhe balada e Aga Hasan Agës, në vetvete përmban pabarazinë gjinore, kur e ëma e një djali të luftëtarit të rënë për liri dashurohet në një varfanjake, e cila kur merr vesh se e ka mbytur vetin dashnori që i ka dhënë besën shkon dhe vdes edhe ajo me te, që është një dëshmi se ka qenë e pamundur që në atë kohë, kur është ndodhur ngjarja e baladës ta luftosh mentalitetin dhe bindjen e prindërve, për t’u martuar të rinjtë me dashuri, apo me atë që e dashuron. Gjithsesi trajtimi artistik që i bën autori kësaj balade është një vlerë e shtuar për letërsinë.

Ndonëse balada e Hanës së Zhurit, nuk ka të bëj me pabarazinë gjinore, sepse ajo ka qenë e lumtur me fjalën e dhënë të babës për fejesën e saj, ajo është një femër fatkeqe, e cila vdes në ditën e martesës, madje në momentin kur vijnë krushqit për ta marrë. Mbase vdekja e saj është e papritur ajo edhe mund të ketë vdekur nga pikëllimi për babanë e saj, por gjithsesi përmes ritregimit të kësaj balade tregohen edhe virtytet e popullit të Zhurit e në veçanti e shokëve të Nurës, që nuk i kthejnë krushqit pa nuse por i jep shoku i Nurës vajzën mikut të Nurës, për të cilin rast do të shkruaj edhe Heroi i Kosovës, komandant i parë Zonës Operative të Pashtrikut Remzi Ademaj, një dramë.

4. Dashuria e sinqertë dhe ruajtja e nderit nga ana e femrës shqiptare

Ritregimi tipik i kësaj nënndarje është Balada e Cufës dhe Bardhës, që autori Cengu na sjell para lexuesit si një ndër realizimet më të mira të kallximeve artistike me motive të dashurisë. Autori me shumë profesionalizëm e rindërton në bazë të baladës ngjarjen e dashurisë prej momentit kur lind dashuria në mes të dy të rinjve, e që shkaktar është melodia e fyellit. Pastaj lidhja e krushqisë, martesa dhe dashuria e madhe për njëri tjetrin. Në anën tjetër nevoja për ta mbrojtur atdheun dhe shkuarja në luftë e Cufës dhe pritja me të njëjtën dashuri e Bardhës. Pra është rikallxim me plot emocione dhe me mesazhe për dashurinë e sinqertë të të rinjve.

Dashuria e sinqertë është paraqitur në këto rikallxime edhe përmes baladës N’darrsë të vekut kush po kanë ose siç e quan autori Madhështia e një dashurie të këputur mbi vek, që tani më është sinonim i dashurisë së vërtetë ndër breza, por që Besim Cengu në mënyrë artistike na sjell të ritreguar e të rindërtuar në mënyrë që të lexohet mesazhi i kësaj balade, për të qenë mësim në kohën moderne kur më shumë kem divorce se sa martesa.

Edhe balada e Rrushe Rexhës, që autori e portretizon si bukuroshen e Pashtrikut, e që në fakt është bukuroshja e gjithë hapësirës shqiptare, flet për dashurinë e sinqertë dhe moralin e lartë të femrës shqiptare.

Ndërsa balada Livadhi i Cucës është një gërshetim në mes motiveve të dashurisë dhe ruajtjes së fjalës, përkatësisht besës së dhënë. Gjithsesi Livadhi Cucës është një histori e njohur në Opojë ashtu siç është ngjarja e Hanës së Zhurit, por që në këtë libër na vjen si rikallxim artistik në mënyrën më të mirë të mundshme, ku kusht i martesës ishte kositja e livadhit brenda ditës, edhe ky motiv i njohur gjithashtu nga këngët kreshnike.

Nuk jam ndalur në detaje të baladave, me qëllim që të ju lu edhe juve për ta përjetuar rikallximin artistik si mënyrë e shfletimit të motiveve të baladave e legjendave tona, që kanë bërë historinë që nga ilirët e deri në ditët që i kemi mbërri ne brezi jonë. Këto balada të rikallxuara nga Besimi edhe sot në variante të ndryshme tregohen e dëgjohen në gjithë hapësirën shqiptare, por në secilin vend i kanë specifikat e veta, gjuhën dhe motërzimin që i specifikon sipas zonave.

Pos mënyrës së veçantë të ritregimit të baladave, Besim Cengu në këtë libër duke gërshetuar disa gjini letrare në një stil unik, me një gjuhë të pasur e me theks të veçantë në fushën e leksikologjisë, arrin të ruaj bilancin artistik në mes gjuhës standarde dhe shprehjeve të vjetra, që nuk janë të përfshira në fjalor. Jam i bindur se Besimi sikkur të mos ishte përballur me një luhatje shëndetësore, këto ritregime do të ishin edhe më të pasura me fjalë të rralla.

Dhe fare në fund, Besim Cengut i dëshiroj shëndet dhe njëkohësisht angazhim në fushën e letrave, problemet shëndetësore qofshin të shkuara e mos u ndaltë së shkruar kurrë!

Fat e mbarësi i dashur vëlla!, nga baba Nexh personazh i dy tre baladave të ritreguara.

Prizren, 27 prill 2024 /www.QendraPress.com/